Camaj e Koliqi poliagjentë? Autoriteti: Tare e mori dosjen dje, kemi nisur hetimin!

schedule17:17 - 10 Korrik, 2020

schedule 17:17 - 10 Korrik, 2020

Studiuesi Auron Tare pak ditë më parë publikoi  një shkrim i cili shkaktoi shumë debat, për dy figurat e shquara të letërsisë shqiptare Ernest Koliqi dhe Martin Camaj.

Tare në shkrimin e tij, pretendoi se dy shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, kishin qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja të inteligjencës.

Ky konstatim i studiuesit, ndezi polemikat ndaj këtyre dy figurave.

Sipas tij këto të dhëna ishin marrë nga dosjet përkatëse të tyre të cilat ai i dispononte.

Por në fakt ditën e sotme Drejtoresha e Autoritetit të Dosjeve Gentjana Sula ka reaguar duke thënë se ka nisur hetimi administrativ, për verifikimin e praktikës së dosjes fizike dhe asaj dixhitale të Martin Camajt.

“Nisur nga dinamikat e ditëve të fundit dhe publikimeve në shtyp mbi dosjen fashikull nr. 456 të Martin Camajt, që kanë të bëjnë me trajtimin e saj nga AIDSSH, sot, më datë 10.07.2020 firmosa urdhrin nr. 31 të nisjes së hetimit administrativ për verifikimin e praktikës së dosjes fizike dhe asaj digjitale të Martin Camajt nga AIDSSH.

Grupi i punës i ngritur për këtë qëllim do të verifikoje zbatimin e rregulloreve përkatëse gjatë administrimit të materialit arkivor në ngarkim të tij.  Ndërkohë AIDSSh do të vazhdoje të zbatojë me rigorozitet ligjin,  duke garantuar qasjen në dokumentat e Sigurimit, edhe  për figurat historike.

Materiali përmbledhës i hartuar pas kryerjes së veprimeve për përmbushjen e objektit të urdhrit në fjalë do t’i bëhet i ditur Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, për ndjekje sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në reagimin e Sulës.

Abc News ka mësuar se studiuesi Auron Tare ka siguruar dosjen në mënyrë zyrtare vetëm ditën e djeshme, ndërkohë që aplikimin për ta pasur atë, e ka bërë 3 javë më parë.

Në shkrimin e publikuar sipas Tares, është marre si referencë shkollimi i Camajt, punën në Radio Beogradi, dhe përfshirjen në Komitetin e Prizrenit, e cila sipas tij ishte një organizatë, përmes së cilës ishte ndërtuar një rrjet spiunazhi në Shqipëri dhe diasporë.

Po kështu edhe për Ernest Koliqin, Tare shkruante se ka qenë një agjent i CIA-s dhe ka mbështetur ardhjen e Camajt në Romë.

Gjithashtu ai shkruante, se Koliqi ka ndihmuar Camajn, për të kapërcyer dyshimet se ishte i dërguar i komunistëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!