Çalja kthehet si kampion në Shqipëri. Objektivi i radhës? Medalja olimpike

schedule14:45 - 11 Dhjetor, 2021

schedule 14:45 - 11 Dhjetor, 2021

Briken Çalja është shpallur kampion Bote në shkëputje në Botërorin e peshëngritjes në Uzbekistan.

Për 1 pikë ai humbi mundësinë e titullit kampion në dygarësh, por kjo nuk e ndaloi Çaljan të kthehet në atdhe me një medalje ari dhe dy argjendi.

Me këtë arritje pëshëngritësi shqiptar ka bërë krenarë gjithë shqiptarët kudo ndodhen.

Për “Supersport” në Rinas,  Çalja ka treguar edhe emocionet e para të  kësaj arritjeje historike, teksa nuk nguroi të tregonte edhe objektivin e tij të radhës.

Një arritje e jashtëzakonshme. Si ndiheni? Jam shumë i lumtur, pasi ishte një rezultat historik, me një medalje ari dhe dy argjendi, që vijnë për herë të parë për Shqipërinë. Normalisht kjo ishte dita e shqiptarëve dhe ndihem shumë mirë.

Çfarë mendove kur po garoje dhe arrite këtë rezultat? Mendova gjithë sakrificat që kam kaluar, karrierën time, familjen time dhe njerëzit me të cilët punoj, por edhe njerëzit që më kanë mbështetur, të cilët edhe i falënderoj.

Jeni bërë idhull i shqiptarëve falë mundit dhe sakrificës tuaj? Padiskutim dhe kur mendoj sakrificat, më vjen shumë mirë që më janë shpërblyer, megjithatë të shohim përpara.

Cili është objektivi i radhës? E vetmja gjë që më ka ngelur pa u realizuar ,është të marr një medalje olimpike, që shpresoj ta arrij.

Ju dhemb fakti që nuk ia dolët në provën e fundit? Padiskutim që po, pasi aty ishte medalja e artë në dygarësh dhe njëkohësisht rekordi europian, por sporti e njeh edhe dështimin.

A ishte kaq i fortë kundërshtari? Sigurisht që po, pasi është medalist olimpik dhe doli i treti në Lojërat Olimpike, madje edhe atje ma mori po me një pikë, por ky është sporti.  /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!