Calja: Arrita rezultat historik. Medalja e parë? Të ndjekim shembullin e Kosovës dhe e marrim

schedule09:58 - 29 Korrik, 2021

schedule 09:58 - 29 Korrik, 2021

Briken Calja zhvilloi dje garën e tij në Lojërat Olimpikë dhe u rendit i katërti në botë në shtytje, pa mundur të fitojë medaljen e bronztë. Pas garës ai foli për KTV dhe u shpreh i kënaqur për këtë paraqitje, teksa kërkoi më shumë ndihmë nga shteti dhe kur të ndodhë kjo, atëherë do vije edhe medalja e shumëpritur olimpike, sipas tij.

“Me rezultatin jam jashtëzakonisht i kënaqur. Është një rezultat fantastik, më i miri i sportit shqiptar në histori. Isha vetëm një vend larg medaljes, por ky është sporti. Dua të falënderoj familjen time jashtëzakonisht shumë, për shkak se kemi kaluar një situatë jo të mirë. Falënderoj Zotin që ka dalë mirë gjithçka.

Falënderoj doktorët për gjithçka kanë bërë për mamanë time. Dua të falënderoj të gjithë stafin tim të mrekullueshëm, duke filluar nga Geraldi, Vanini, bashkë me presidentin Elez Gjoza, pasi kemi qenë një grup i jashtëzakonshëm duke punuar fort për të arritur këto rezultate.

Gjithashtu, një falënderim shkon për Bashkinë e Tiranës dhe kryetarin Erion Veliaj, për të gjithë mbështetjen. Falënderoj edhe Komitetin Olimpik për mbështetjen, por duhet që përgatitjet t’i fillojmë më shpejt, pasi dihet si funksionojnë shtetet e tjera në përgatitjet për Lojërat Olimpike. Megjithatë, mbi të gjitha duhet të jemi të lumtur për rezultatin, pasi bëhet fjalë për një rezultat historik.

Duhet të marrim si shembull Kosovën. Le të shikojmë vetëm mbështetjen e shtetit në të dyja vendet, me Kosovën që jep 12 milion euro për sportin, ndërsa në Shqipëri buxheti është rreth 1 milion dollarë. Kemi një ndryshim të madh në mbështetjen e shteteve. Nëse shteti ynë vazhdon kështu, do të jemi gjithmonë në këtë situatë”, përfundoi Calja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!