Mesfushori i Milanit, Hakan Calhanoglu, po kalon sezonin e tij më të mirë që kur është transferuar tek kuqezinjtë. Madje që nga rifillimi i Seria A, forma e turkut ka qenë e jashtëzakonshme. Ai numëron një gol ose një asist në pesë ndeshjet e fundit, diçka e tillë që mungonte te Milani që nga koha e Kakas në 2008.
Calhanoglu është kthyer në një lider për formacionin e Piolit dhe tashmë konsiderohet si një pjesë shumë e rëndësishme e projektit të së ardhmes nga drejtuesit. Drejtori sportiv, Paolo Maldini, ka kërkuar një takim me agjentin e lojtarit për të diskutuar rinovimin e kontratës.
Kontrata e tij aktuale përfundon në verën e ardhshme, ku pritet të ketë një rritje page nga 2.5 milionë që Hakan përfiton. Gjithashtu pritet të ketë dhe një klauzolë largimi, ashtu siç klubi ka vendosur për Ismail Bennacerin. Në këtë sezon 26-vjeçari është aktivizuar në 34 takime të Seria A, ku ka shënuar 9 gola dhe ka dhuruar 9 asiste për shokët e skuadrës. /abcnews.al