Në datë 20 Dhjetor ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të rinisë betejën me drejtësinë. Seanca te gjykata e Apelit kundër Krimit dhe Korrupsionit është caktuar në orën 09:00. Dosja e Saimir Tahirit në Apel do të gjykohet nga Daniela Shirka që është kryesuese dhe Engert Pëllumbi, Ilirjana Olldashi ka dhënë dorëheqjen dhe pritet zëvendësimi nga KLGJ.
Disa javë pasi Gjykata e Lartë zbardhi vendimin, dosja në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe Jaeld Çelës u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme me argumentin se gjatë procesit kundër Saimir Tahirit ka pasur shkelje procedurale.
Përpos konfliktit të interesit të gjyqtares Albana Boksi, gjykata thekson se prokuroria u dha fakteve penale cilësim të ndryshëm nga akuza dhe se nuk i dha mundësinë ish-ministrit të mbrohej për akuzën e shpërdorimit të detyrës që u dënua me 5 vite burg i konvertuar në 3.4 vite shërbim prove.
SPAK e akuzoi për trafik droge, por gjykata ish-ministrin e Brendshëm e dënoi vetëm për shpërdorim detyre, ndërsa me prishjen e vendimit nga Gjykata e Lartë, dosja rikthehet edhe njëherë në Apel./Abcnews.al