Cakaj nga Prishtina: Duhet hequr kufiri Kosovë-Shqipëri

schedule12:46 - 19 Shkurt, 2020

schedule 12:46 - 19 Shkurt, 2020

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj është duke zhvilluar një vizitë në Kosovë duke takuar krerët e shtetit.

Gjatë fjalës së tij për mediat pas takimit me kreun e Kuvendit të Kosovës, Cakaj tha se kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë duhej hequr.

“Puna e ministrit Konjufca veçanërisht në rrethanat ekzistuese, në një kohë kur ka pikëpyetje të shumta, është thelbësore për forcimin e mëtejmë ndërkombëtar të pozicionit të Kosovës dhe si rrjedhojë nuk është vetëm çështje e Kosovës, por edhe çështje e lartësimit të interesave kombëtare në përgjithësi.

Jam i lumtur që jam në Kosovë për dy arsye, po vij në një periudhë kur sapo është formuar qeveria, për t’i dhënë shtysë të re bashkëpunimit mes dy vendeve dhe e dyta është mbajtja e bisedave që zhvilluam sot për të zgjeruar bashkëpunimin”, ka thënë ai.

Cakaj ka falënderuar Kosovën për ndihmën gjatë tërmetit në Shqipëri, duke thënë se qeveria e Kosovës ka dhënë një financim të vyer pas tërmetit.

Cakaj shtoi se kanë trajtuar sot disa probleme me Konjufcën, siç është ai i ambasadave të përbashkëta.

“Me z.Konjufca trajtuam disa probleme që janë thelbësore për bashkëpunimin.

E shprehëm gatishmërinë për zhvillimin e ambasadave të përbashkëta. Ne jemi të gatshëm edhe në një numër të konsiderueshëm që të vazhdojmë në të njëjtën praktikë.

Dua të theksoj se marrë parasysh se kemi nevojë për konkretizim të bashkëpunimit dhe mbledhje të dy qeverive, i kam propozuar z.Konjufca dy marrëveshje fillestare, e para është që duhet të mblidhemi që të firmosim një marrëveshje për ndarje të shpenzimeve në një fushatë për lobimin e njohjeve të Kosovës.

Marrëveshja e dytë është ajo për transmetimin e përvojave në procesin e integrimit evropian”, ka thënë ai.