Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj shprehet se në mbledhjen e sotme virtuale të ministrave të jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit, i kërkoi Ministres së Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe Ministrit të Jashtëm të Serbisë, të njohin Republikën e Kosovës.
“Nuk mund të ketë bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë rajonal, pa qasje përfshirëse, trajtim të barabartë dhe njohje të ndërsjellë. Në këtë kuptim, njohja e Kosovës është një hap tejet i rëndësishëm, jo vetëm në procesin e zhvillimit ekonomik e pajtimit ndëretnik në Ballkanin Perëndimor, por edhe në rritjen e kapaciteteve të përgjithshme rajonale për anëtarësim më të shpejtë në Bashkimin Evropian” u shpreh Cakaj në reagim në rrjetet sociale.
Gjithashtu, Cakaj theksoi se është bërë thirrje për liberalizim sa më të shpejtë të vizave me Republikën e Kosovës, duke marrë parasysh plotësimin e të gjitha kushteve të nevojshme teknike. “Çdo vonesë në këtë proces do ta dëmtojë besueshmërinë në aftësitë vendimmarrëse të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor”- përfundoi kryediplomati./ db/Abcnews.al