Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë ditës së sotme zhvilloi një bashkëbisedim online me Drejtorin e Përgjithshëm për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit në Komisionin Evropian, Christian Danielsson.
Cakaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan se në këtë bisedë është diskutuar veçanërisht faktin, se pas çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian, duhet shtuar angazhimi për plotësimin e të gjitha detyrimeve të nevojshme në rrugën e anëtarësimit.
“Po ashtu, biseduam edhe rreth bashkëpunimit mes Shqipërisë e BE-së në luftën e përbashkët kundër COVID-19 dhe procesin e rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019”-shtoi Kryediplomati Cakaj.
Ndër të tjera ministri në Detyrë, Cakaj ka siguruar se komunikimi me BE-në në këto rrethana është i vazhdueshëm dhe përparimi drejt BE-së është i sigurt, sikurse fitorja e përbashkët mbi pandeminë./abcnews.al

