Bylisi është shpallur kampion i Kategorisë Superiore U-21 për edicionin 2020-2021. Skuadra ballshiote u rendit e para pas 24 javëve të luajtura. Kampionët fituan sot me Dinamon në sfidën e fundit të sezonit me shifrat 4-0.
Protagonist absolut i 90 minutave ishte Spahiu, i cili realizoi tre gola për Bylisin, ndërsa goli i katërt është realizuar nga Hajdëraj. 21-vjeçarët mallakastriotë grumbulluan 63 pikë, 6 më shumë se Laçi e Vllaznia, kundërshtarët e këtij sezoni.
Në përfundim të ndeshjes në kompleksin stërvitor “Bylis” u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të trofeut të titullit dhe medaljeve për lojtarët, me Bylisin, që shkruan emrin me gërma të arta në historinë e futbollit shqiptar duke qenë se janë fituesit e parë të këtij kompeticioni të krijuar rishtazi nga FSHF.
Në këtë kampionat morën pjesë 13 skuadra, ndërsa në vendin e dytë u rendit Laçi e në të tretin Vllaznia. Kështu, u mbyll edicioni i parë i Kategorisë Superiore për këtë moshë, që lindi si një nevojë për lojtarët e rinj që nuk kishin mundësi aktivizimi në ekipet e para. /abcnews.al