“Buxheti për vitin e ardhshëm nuk është realist”, ekspertët: Borxhi në nivele alarmante

schedule17:41 - 23 Tetor, 2020

schedule 17:41 - 23 Tetor, 2020

Nga Erblina Mile

Draft-buxheti për vitin e ardhshëm  është shumë optimist. Ekspertët e ekonomisë japin alarmin se   të ardhurat e parashikuara janë  shumë të ulëta,investimet të pakta ndërsa borxhi publik ka rritur në nivele shumë të larta. Ish-ministri i financave Arben Malaj deklaron se problemi kryesor në këtë draft buxhet  është fakti që mungon plotësisht mbështetja për shtresat në nevojë dhe biznesin që janë goditur për shkak të pandemisë.

“Borxhi publik do të shkojë në nivele të larta që unë mendoj se mund të arrij deri në  85-100% të GDP dhe ajo që duhet theksuar për buxhetin e vitit 2021 është që nuk ka parashikuar mbështetjen që duhet dhënë të papunëve të rinj dhe të varfërve që sipas BB dhe kalkulimeve të  institucioneve tjera rrezikojnë  që të rriten. Këtë e shohim edhe nga pandemia tani. A është një buxhet realist?Sigurisht që buxheti nuk është aritmetik dhe varet nga ambienti ekonomik dhe shoqëror do të implementohet .Nëse qeveria nuk do të injektojë para në ekonomi në pjesën e mbrojtjes sociale për të papunët të varfrit dhe bizneset rrezikon të jetë jo realist”, shprehet Malaj.

Për ekspertin Selami Xhepa ky projektbuxhet i ka treguesit  shumë të fryrë .Të ardhurat vlerësohen të ulëta ndërsa  shpenzimet të larta.

“Mendoj që tipari themelor i këtij buxheti  janë të ardhurat shumë të ulëta  sepse niveli i të ardhurave të projektuara për vitin 2021 janë të barabarta me ato të vitit 2018, së dyti niveli shumë i lartë i shpenzimeve qeveritare që vjen si për shkak të shpenzimeve korente pagave dhe investimeve publike dhe që për pasojë prodhojnë  një indikator final që është niveli i lartë i borxhit publik dhe defiçitit fiskal”, shprehet Xhepa.

Afrimi i zgjedhjeve  e rëndon edhe më shumë situatën ekonomike në vend. Arben Malaj thekson se gjatë periudhës së zgjedhjeve  ka stopim të investimeve dhe konsumit .

“Kur jemi në një vit elektoral  së pari qytetarët konsumojnë më pak sepse duan të dinë çfarë do të ndodh,investojnë më pak sepse presin të ndodhin ndryshimet e premtuara,investitorët biznesi vendas dhe i huaj rrinë në pritje për të parë se çfarë drejtimi  merr vendi  pas një qeverie të re që do jetë në muajt e parë të vitit”, thotë Malaj.

Ndërkohë Selami Xhepa shprehet se fushata elektorale ka nisur disa muaj më parë  ndërsa thekson se në të gjitha zgjedhjet në vend ka një shthurje të disiplinës financiare.

“Por në kontekstin e zhvillimeve politike dhe  të fushatave elektorale janë shoqëruara me shthurje të disiplinës, me probleme serioze të funksionimit të sektorit privat dhe për pasojë investimet private do të jenë më të munguara .Kështu që do të ketë rreziqe të mëdha e të forta”, thekson Xhepa.

Të ardhurat në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2021 janë parashikuar në vlerën e 479 miliard lekëve  me një rritje me rreth 10,6% nëse e krahasojmë me të ardhurat gjatë këtij viti. Ndërsa shpenzimet  janë planifikuar të jenë në nivelin e  587,6 miliard lekëve./mv. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!