Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, foli në një lidhje Skype me emisionin Pressing në ABC News. Tekniku i Shpresave kuqezi, u shpreh: “Qëllimi ynë dihet, është të çojmë sa më shumë lojtarë tek ekipi i parë A. Këtë radhë, ka shumë lojtarë të rinj që kanë shkuar tek ekipi A. Shqipëria ka një grup shumë të mirë sportistësh dhe jam optimist se Shqipëria do të bëjë shumë mirë në të ardhmen, do të ketë alternativa cilësorë në grup.
Kemi disa lojtarë të rinj. Për sa i përket grupit, është pak i vështirë për t’u parashikuar pas pandemisë, pasi nuk dihen format e futbollistëve. Të gjitha ndeshjet janë të vështirë, si Andorra, ashtu dhe Austria. Ne kemi bërë ndeshje shumë të mira, e shohim nga ana tekniko-taktike dhe lojtarët tanë nuk kanë gabuar shumë. Austria në ndeshjen e parë në Tiranë, na ndëshkoi në thjesht në katër gabime individuale, kemi pësuar katër gola.
Unë kam shumë besim tek ekipi që kemi grumbulluar, çunat janë shumë të mobilizuar. Të luajmë futboll pa frikë dhe pa emocion, të luajmë një futboll cilësor. Jam shumë i kënaqur me grupin e ri që ka ardhur, bëjnë atë që i thotë trajneri. Kjo është shumë e rëndësishme dhe besoj se do të dalim triumfues nesër”, u shpreh Bushi./abcnews.al

