Bushi optimist: Kemi 40-50 lojtarë, askujt të mos i mbetet qejfi! Shqipëria U21 shkon lart

schedule22:39 - 29 Mars, 2021

schedule 22:39 - 29 Mars, 2021

Shqipëria U21 është grumbulluar dhe për 10 ditë trajneri Alban Bushi ka pasur mundësinë të shohë elementë të rinj, pjesë e kampionatit tonë dhe lojtarë që vijnë edhe nga jashtë. Trajneri i Shpresave vlerëson grumbullimin e bërë dhe flet edhe për tema të tjera për fshf.org.

 “Mendoj se ka qenë një grumbullim që ia ka vlejtur shumë për ndeshjen e radhës që kemi në Andorra në qershor, megjithëse do të donim një kundërshtar për të bërë një ndeshje miqësore në Tiranë, por për shkak të pandemisë në të gjithë botën, kundërshtarë nuk gjetëm.

Kemi luajtur me Tiranën dhe nesër do të luajmë me Bylisin për të pasur një ide më të qartë për lojtarët që kemi të grumbulluar. Janë shumë lojtarë të rinj, pothuajse 15 lojtarë që nuk kanë qenë të grumbulluar më parë, është një grup komplet tjetër.

Jam shumë i kënaqur, kanë dhënë maksimumin në stërvitje, kanë qenë shumë të përqendruar, e kanë vlerësuar fanellën e Kombëtares. Shpresojmë të vazhdojmë kështu”, ka deklaruar fillimisht Bushi, i cili më pas i është rikthyer duelit me Tiranën në fundjavë.

“Ndeshja me Tiranën na ka vlejtur shumë, bëmë një ndeshje shumë të mirë, në përgjithësi. Patëm dhe disa gabime, që mendoj se do të përmirësohemi në ditët në vazhdim. Nesër me Bylisin do të jemi diçka tjetër. Do t’i japim mundësi edhe lojtarëve të tjerë që luajtën pak minuta dhe të kemi edhe një ide më të qartë për lojtarët e thirrur në këtë grumbullim”.

Në lidhje me lojtarët që grumbullohen dhe duelin me Andorrën në qershor, Bushin shton: “Janë shumë lojtarë që nuk kanë ardhur, 10-12 lojtarë, të cilët nuk kanë ardhur për shkak të pandemisë, sidomos lojtarët e Anglisë, 4-5 veta, të Kroacisë dhe Italisë. Shpresojmë që t’i kemi në grumbullimin e ardhshëm. Pothuajse kemi 40-50 lojtarë, nga këta do mundohemi të marrim më të mirët, për këtë nuk duhet t’i ngeli qejfi asnjërit.

Në qoftë se dikush është në këtë grumbullim dhe jo në tjetrin, do të jetë gjithmonë nën vëzhgimin tonë, por ne jemi të detyruar të zgjedhim më të mirët. Prandaj quhet ekip Kombëtar sepse përfaqëson një Shqipëri të tërë. Unë jam i kënaqur nga çunat dhe mendoj se do të bëjmë një sezon shumë të mirë.

Ka kohë për të përgatitur ndeshjen e Andorrës, me 4 qershor që është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne për ta filluar me këmbë të mbarë dhe do të shikojmë ato lojtarë që janë më në formë, ata që do të kenë më shumë minuta për të përballuar ndeshjen me Andorrën atje.

Andorra është një ekip i bezdisshëm, nuk mendon të ndërtojë, por mendon gjithë kohës të shkatërrojë. Kanë strategjinë e tyre dhe e bëjnë shumë mirë, por ne gjithsesi nuk është se do të biem në grackën e atyre. Do të jemi shumë të qetë për ta përballuar me sukses dhe shpresoj që do t’ia dalim me sukses”. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!