Bushati me tone të ashpra: Të ndahemi nga oligarkia grabitqare

schedule12:40 - 30 Prill, 2020

schedule 12:40 - 30 Prill, 2020

Deputeti socialist Ditmir Bushati ka folur me tone të ashpra në Kuvend teksa i ka bërë thirrje socialistëve që të mos e votojnë koncesionarin e ri që synon të privatizojë Portin e Durrësit.

Bushati theksoi se ky ligj që synon privatimin e Porto Romanos me taksat e popullit, është futur në Kuvend me procedurë të përshpejtuar, larg syve të publikut.

Ai tha se PS nuk ka asnjë tagër të burgosë gjeneratat e ardhshme, duke i bërë thirrje që të mos bëhen si kundërshtarët e tyre politikë.

LEXO EDHE: “Tension” mes socialistëve, Balla i përgjigjet Bushatit: M’u duke si Grida Duma

“Sot po kërkohet të miratohet një kontratë për një koncesionar të ri, pa garë, pa procedurë dhe pa ligj. Në një situatë jashtëzakonisht të vështirë në të cilën po kalon vendi. Dhe unë dua ta filloj me një lutje në radhë të parë zoti Kryetar meqenëse jeni një deputet me shumë eksperiencë dhe shumë i matur në drejtimin e politikës shqiptare dhe Kuvendit. Jam 100% dakord me fjalën që ju mbajtët në fillim të kësaj seance ku thatë se ne nuk jemi zotër të këtij vendi dhe duhet të jemi të kujdesshëm me liritë politike dhe liritë ekonomike të qytetarëve që përfaqësojmë.

Në rast se do i qëndrojmë këtyre fjalëve do ju lutesha sot fillimisht që mos ta votojmë këtë kontratë, t’i japim kohë vetes, gjithë aktorëve shtetërorë për të bërë analizën më të mirë të mundshme sepse ne jemi Partia Socialiste e Shqipërisë, forcë e qendrës së majtë dhe nuk kemi asnjë tagër as si maxhorancë e as si Kuvend i Shqipërisë që të burgosim të ardhmen e gjeneratës së re. Ne nuk kemi asnjë tagër zoti Kryetar, zonja e zotërinj deputetë, për të marrim vendime për 30 vitet e ardhshme. Ne na duhet strategji zhvillimi për detin. Kujtoj vitin 2009, Konventën tonë programore si PS, kur Preç Zogaj, në atë kohë me ne, mbajti një zotim në emër të koalicionit tonë për të pasur një strategji për vijën bregdetare, sepse është pronë e përbashkët.

Në komunizëm deti ishte i pashfrytëzuar, sot jetojmë në kapitalizëm dhe duhet që të trajtohet si një pronë e përbashkët publike, ku çdokush duhet ta dijë çfarë ndodh me vijën bregdetare, sa porte mund të ndërtohen, çfarë cilësie do të kenë këto porte, me çfarë sigurie duhet të ekzistojnë e kështu me radhë.

Po kështu në këtë Kuvend kam folur disa herë për përqendrimin e pasurisë në një rreth vicioz njerëzish, dhe çfarë po synohet me këtë kontratë? Me këtë kontratë synohet që portit të hidrokarbureve ti ndryshohet në thelb objekti. Nuk ka nevojë të jesh prokuror, gjyqtar, avokat, jurist. Mjafton të kesh bërë leksionin numër një në të drejtë civile për të kuptuar që thelbi i kontratës është objekti. Ne këtu duhet të kishim një projekt fizibiliteti aq më tepër që këto shërbime i ofron porti i Durrësit.

Unë jam njeri që besoj te idealet e qendrës së majtë dhe e dua publiken. Nuk kemi pse t’ia marrim portit të Durrësit dhe tia japim privatit. Nuk ka pse ARRSH-ja të nxjerr tenderin 5.5 milionë euro për t’i çuar dhe rrugën privatit. Nuk kanë pse të paguajnë taksa shqiptarët e zakonshëm këtij vendi dhe të gjithë ne për të çuar atje postën policore, doganierin, kontrollin sanitar dhe fitosanitar. Në rast se doni t’ia jepni privatit, fare mirë mund ta bëjë investimin privati. Çfarë fiton shoqëria me këtë gjë?

Çfarë fitojnë fëmijët tanë me këtë gjë? Çfarë duam të bëjmë? Duam të bëjmë një realitet si Dhërmiu e Palasa? Nuk i kuptojmë ne gabimet tona ku një grusht të pasurish jetojnë në mënyrë ekskluzive dhe nga taksat tona shkon rruga atje, shkon energjia, shkon uji?! Unë kam respekt për kapitalin, i heq kapelen çdo biznesmeni të ndershëm shqiptar, por duhet të ndahemi me oligarkinë. Oligarkia është një problem shqetësues në të gjitha vendet e botës dhe niveli i penetrimit në politikë dallon nga fuqia dhe fortësia e institucioneve. Duhet ta përballojmë këtë realitet. Nuk duhet të bëhemi si Partia Demokratike që ditën vajton dhe natën i shkel syrin oligarkëve duke i vënë gjoba.

Po nuk kemi pse ti japim bonus as Presidentit të Republikës që të dalë si garant i mbrojtjes së publikes. Interesin publik duhet ta mbrojmë ne zoti Kryetar. Ne jemi Partia Socialiste, ne jemi partia e progresistëve dhe demokratëve shqiptarë. Jemi partia që kemi ardhur në pushtet në 2013 dhe kemi thënë që do i anulojmë koncesionet, kemi thënë që po keqpërdoret pasuria. Ilir Beqja shkruan e thotë kush jemi ne që po mbajmë peng të ardhmen e të rinjve. Atëherë ky është momenti për ta vërtetuar këtë kryetar. Për të mos shkuar në një kapitalizëm grabitqar, ku në politikë njerëzit qëndrojnë vetëm për favore dhe ku oligarkët e shpërthejnë politikën”, tha Bushati./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!