Bushati, mesazh Vuçiçit për masakrën e Reçakut: Gjeni forcë për të dënuar krimet tuaja

schedule12:53 - 15 Janar, 2020

schedule 12:53 - 15 Janar, 2020

Sot shënohet 21 vjetori i masakrës së Reçakut, e cila ishte një pikë kthese e raportit të Perëndimit me regjimin e Millosheviçit duke sjellë ndërhyrjen ndërkombëtare.

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i sapoemëruar si i dërguar i Posacçëm i Presidencës së OSBE-së ka përkujtuar sot masakrën e Reçakut në Kosovë të ndodhur para 21 vitesh.

Bushati e cilëson Reçakun si një prej masakrave më mizore që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ish-ministri i Jashtëm thotë që ka ardhur koha që nën shembullin e vendeve të tjera Serbia duhet të gjejë forcë për të dënuar krimet e kryera prej tyre dhe për të punuar jo vetëm për pajtimin por edhe për bashkëjetesen mes popujve të Ballkanit.

Një mesazh të drejtpërdrejtë Bushati ka për Presidentin Serb, Vuçiç, ndërsa thotë që “çdo mohim i krimeve të kryera apo relativizim i së keqes i vë krusmën ardhmërisë së përbashkët europiane të popujve të Ballkanit Perëndimor”.

https://www.facebook.com/ditmirbushati.al/photos/a.524754080971712/2599815036798929/?type=3&theater

Statusi i plotë:

Sot nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetën në masakrën e Reçakut dhe masakrave të tjera të kryera nga forcat serbe në #Kosovë.

21 vjet më parë në #Reçak u organizua një prej masakrave më mizore që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në #Europë.

Kjo zgjoi ndërgjegjen e komunitetit ndërkombëtar dhe solli ndërhyrjen vendimtare të NATO-s që i dha fund spastrimit etnik dhe katastrofës humanitare në Kosovë.

Historia na mëson se edhe shtete të tjera që kanë përgjakur Europën kanë gjetur forcën për të dënuar krimet e kryera duke u distancuar prej tyre, kanë kërkuar ndjesë publike dhe janë investuar në projektin e paqes dhe ripajtimit.

Është koha që në Ballkan procesi i ripajtimit dhe bashkëjetesës demokratike e paqësore të ndjek shembuj të tillë.

Sepse çdo mohim i krimeve të kryera apo relativizim i së keqes i vë krusmën ardhmërisë së përbashkët europiane të popujve të Ballkanit Perëndimor. #KurrëMë!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!