Bursa për pilotët e rinj shqiptarë/ “Kastrati Group” mbështet të rinjtë në fushën e aviacionit

schedule18:11 - 10 Shtator, 2024

schedule 18:11 - 10 Shtator, 2024

Për çdo të ri që dëshiron të ndjekë ëndrrën në fushën e aviacionit, tashmë ka një mundësi. Kastrati Group do të ofrojë bursa studimi në mbështetje të të rinjve shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin karrierën e tyre në Akademinë e Pilotëve të Wizz Air.

“Jemi krenarë të përfshijmë në programin tonë ‘Kastrati for Education’ bursat për pilotët e rinj shqiptarë. Qëllimi ynë është të nxisim interesin e të rinjve drejt profilizimit në profesione të tilla, në mënyrë që kompania jonë dhe jo vetëm, të kenë mundësi të punësojnë profesionistë të përgatitur”, u shpreh përfaqësuesi i grupit Kastrati, Sokol Kreçi.

Pjesëmarrësit e programit do të përfitojnë nga një edukim pilotësh të nivelit të lartë, duke fituar aftësitë për t’u bërë First Officer (Oficer i Parë) në Wizz Air brenda 18-21 muajve.

Pas përfundimit të trajnimit, kadetët do të hyjnë në një rrugë karriere të përshpejtuar, me programin që garanton mundësinë për të gjithë ata, të cilët diplomohen me sukses, të bashkohen me Wizz Air si pilotë profesionistë.

“Duke prezantuar Akademinë e Pilotëve Wizz Air në Shqipëri, ne po hapim dyert që rinjtë e vendit të nisin një karrierë në aviacion. Ky program tregon përkushtimin tonë për të investuar në gjeneratën e ardhshme të pilotëve shqiptarë, duke i ndihmuar ata të arrijnë ëndrrat e tyre duke mbështetur rritjen e industrisë së aviacionit në Shqipëri.”, tha Mauro Aguiar Peneda, përfaqësues i Wizz Air.

Akademia e pilotëve është një mundësi për të rinjtë shqiptarë që të integrohen në aviacionin ndërkombëtar. Nisma synon të hapë gjithashtu dyer të reja dhe do të kontribuojë për një të ardhme më të mirë të aviacionit në Shqipëri.

“Aviacioni civil është kthyer tashmë në një sektor dinamik, ndaj na duhet të sigurojmë fuqi punëtore profesioniste. Nëse ju referohemi të dhënave të fundit, ku deri në vitin 2050 parashikohet dyfishim i pasagjerëve në aeroporte, e sipas parashikimit të kompanisë Boeing deri në 2042 do të kërkohen 150 mijë pilotë,160 mijë inxhinierë dhe 250 mijë staf në kabine, që do të thotë se aviacioni civil do të jetë mënyra më e preferuar e transportit”, theksoi Maksim Et’hemaj, Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil.

“Në vazhdim të kësaj nisme, Kastrati Group do të krijojë akademinë për përgatitjen e stafit që ofron shërbimet aeroportuale. Kjo nismë shumë e rëndësishme duke marrë parasysh zgjerimet dhe ndërtimet e reja aeroportuale në Shqipëri”, tha më tej Arjan Puka, përfaqësues i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.

Kjo mbështetje vjen në kuadër të programit ‘Kastrati for Education”, i dedikuar për zhvillimin e arsimit në vend.

Programi do vijojë me iniciativa të tjera të rëndësishme në fushën e arsimit dhe zhvillimin e komunitetit duke kontribuar në mbështetjen e talenteve të reja dhe në rritjen e profesionistëve në Shqipëri.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!