Jo më kot e quajtëm një garë për historinë. E tillë ajo e atletes keniane, Rut Çepngetiç, në maratonën e Çikagos, por kjo nuk paska vlerë vetëm për femrat.
Në qytetin e njohur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Çepngetiç vendosi një rekord të jashtëzakonshëm botëror për të dyja gjinitë.
Siç shkruan e përditshmja kryesore sportive spanjolle, “Marka”, 30-vjeçarja arriti një rezultat që turpëron shumicën e atletëve meshkuj që vrapojnë në këtë disiplinë.
Kjo, sepse plot 168 rekorde kombëtare të maratonës për burra në të gjithë botën kanë kohë më të dobët sesa ajo e kenianes.
E shkëputur fuqishëm nga rivalet që në gjysmën e itinerarit prej 42 kilometrash e 195 metrash, Çepngetiç ndaloi kronometrin në kohën fenomenale prej 2 orësh, 9 minutash e 56 sekondash.
Vetëm 46 rekorde kombëtare të meshkujve në botë janë më mirë sesa koha e 30-vjeçares.
Koha më e mirë e djemve është 2 orë, 0 minuta e 35 sekonda, vendosur nga keniani Kelvin Kiptum në tetor të vitit të kaluar gjithashtu në Maratonën e Çikagos.
Çepngetiç ia dedikoi fitoren pikërisht patriotit të saj, Kiptum, që humbi jetën në një aksident automobilistik në moshën 24-vjeçare, vetëm 4 muaj pasi vendosi rekordin.
Pra, që të dy rekordet botërore në maratonë, për meshkuj dhe për femra, I përkasin Kenias.