“Hamasi mbetet i palëkundur në pozicionin e tij për të refuzuar shkëmbimin e të burgosurve përpara ndalimit të plotë sulmeve izraelite në Gaza.” Kështu deklaroi një burim egjiptian, i cituar nga agjencia Dpa, pas mbërritjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Egjipt për bisedime mbi situatën në Gaza.
Hamasi tha se Haniyeh është në Kajro për bisedime me zyrtarët egjiptianë për të diskutuar për situatën në Gaza dhe çështje të tjera. Sipas burimit egjiptian, qëllimi i vizitës është heqja e çdo pengese për një armëpushim të mundshëm në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit dhe për një marrëveshje të re për lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza dhe të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Sipas burimit, “për momentin ne jemi ende me të vërtetë afër” një marrëveshjeje të mundshme për një armëpushim që do të lejonte ndihma të mëtejshme humanitare të mbërrinte në Gaza.”/abcnews.al