Bumi i ndërtimit rrit sektorin e mobilieve, por shtrenjtohen çmimet

schedule08:17 - 24 Prill, 2022

schedule 08:17 - 24 Prill, 2022

Vërshon kërkesa për mobilie, për shkak të shtimit të apartamenteve të reja në Tiranë dhe ngritjes së hoteleve në turizëm. Në treg, aktualisht ka kërkesë të lartë, por më pak produkte të prodhuara nga mobilieritë vendase, pasi oferta për lëndë drusore nga importi është reduktuar 70%. Favorizohet importi i mobilieve të gatshme. Çmimet e orendive janë rritur 30-40%.

Kërkesa për mobilie në treg aktualisht është 10% më e lartë se vjet, por mungesa e lëndës drusore në tregun e huaj ka penalizuar prodhuesit vendas. Zgjerimi i kërkesës edhe këtë vit është nxitur nga sektorët e ndërtimit dhe turizmit.

Vështirësitë e mobilierive vendase në gjetjen e furnizimeve po nxisin importin e mobilieve të gatshme. Në tregjet e huaja, materialet e drurit dhe atyre gjysmë të gatshme janë shtrenjtuar me 40-50% krahasuar me vitin 2021.

Shtimi i kostove ka shtrenjtuar çmimet e mobilieve vendase. Nga shtatori 2021 e deri më tani, çmimet e orendive janë rritur 30-40%. Me rritjen e kostove po përballen edhe importuesit e mobilieve, për shkak të tarifave të larta të transportit.

Rritja e çmimeve për mobiliet e gatshme nuk është reflektuar masivisht në treg, pasi konsumatori nuk do të arrinte të absorbonte shtrenjtimin e tyre.

Prodhuesit vendas, të penalizuar

Prodhimi i mobilieve është një tjetër sektor që po vuan varësinë e furnizimeve me lëndë të parë nga importi. Mungesa e lëndëve drusore në tregjet e huaja, për shkak të ofertës së ulët dhe kërkesës së lartë pas pandemisë nga vendet europiane ka prekur edhe prodhuesit e orendive.

Importet e lëndëve drusore në vitin 2021 u rritën 26% më shumë krahasuar me periudhën para krizës së pandemisë, sipas të dhënave të doganave. Në raport me 2020, importet janë 32,8% më shumë. Për shkak të pandemisë dhe zbatimit të karantinës në vitin 2020, importet e lëndëve drusore ishin 5% më pak se 2019.

Shqetësimi parësor për prodhuesit e mobilieve, sipas Dritan Cacaj, nga “Trin Mobileri”, është mungesa e lëndës së parë (gjysmë të gatshme që njihen si panele të parafabrikuara), por edhe vonesa për mbërritjen e furnizimeve. Vjet në Europë pati bum kërkesash për lëndë të parë drusore, për shkak të zbatimit të karantinave, pasi për furnitorët nuk ishte më e leverdishme të furnizoheshin nga Kinë.

Kompanitë i zhvendosën furnizimet në fabrikat e Europës. Sipas Dritan Cacaj, kjo ishte arsyeja pse u dyfishua kërkesa për lëndë të para, ndërsa prodhuesit e huaj nuk kishin kapacitet për mbulimin e tyre. “Në të gjitha fabrikat e Europës, për këtë vit ka pasur mbiprodhim për shkak të kërkesës të lartë.

Shqipëria nuk është parësore nga fabrikat jashtë për kontratat e furnizimit me lëndë të parë. Furnizimi jepet në sasi të reduktuara. Nga 100% të lëndës së parë që prodhon një fabrikë importi, 10% e saj është për Europën Lindore. Fabrikat jashtë tashmë i kanë mbyllur kontratat e eksportit të lëndëve të para për vitin 2022.

Nëse një prodhuesi shqiptar të mobilieve i nevojiten 10 paleta me lëndë drusore, për shkak të kërkesës së lartë nga vendet europiane, arrin të garantojë vetëm 30% të saj. Lëndët e para kryesisht importohen nga Hungaria, Bullgaria, Italia, Gjermania etj. Problematika me importet po shihet me të gjitha shtetet”.

Edhe administratorja e kompanisë së arredimit “GBarchs Architects”, Gladiola Balliu, pohon për “Monitor” se mungesa e lëndës drusore ka sjellë vështirësi te shumë prodhues vendas. “Për arredimin e shtëpive apo lokaleve, kompania bashkëpunon kryesisht me shumë mjeshtër vendas të prodhimit të mobilieve, si në Tiranë dhe në fshatin Nikël të Fushë-Krujës.

Për thuajse çdo porosi të dërguar përballemi me shqetësimin e tyre për mungesën e lëndës së parë (sipas materialit të kërkuar nga klienti). Në treg ka mungesë të lartë edhe të aksesorëve të mobilieve, siç janë dorezat metalike dhe materialet që përdoren për ndarjen brenda orendive”.

Burimi: Doganat
Burimi: Doganat

Importet e lëndëve drusore kryeson Turqia

Peshën kryesore tek importet e lëndës drusore për vitin 2021 e zë Turqia (32%), e ndjekur nga Greqia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi. Për periudhën 2015-2021, sipas të dhënave të doganave, janë importuar 19,2 mld lekë lëndë drusore.

Nga Bosnjë-Hercegovina, 6,1 mld lekë importe; Greqia, 5,5 mld dhe Italia, 5 mld lekë importe. Për të mos krijuar vështirësi për porositë e klientëve, shumë prodhues vendas të mobilieve po lidhin kontrata të posaçme me Turqinë.

“Para pak ditësh, kompania ishte në një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të lëndëve gjysmë të gatshme drusore të Turqisë, për të parë mundësinë e lidhjes së kontratave për furnizimet e reja, që të mos hasen pengesa për porositë e klientëve.

Edhe në këtë shtet, oferta për lëndë të parë është me rënie, por prodhuesit arrinin të garantonin një sasi të caktuar të lëndës drusore, nëse edhe furnizimet me aksesorët e mobilieve, si p.sh., dorezat apo materiale të tjera që shërbejnë për prodhimin e orendive importoheshin prej tyre” – nënvizon administratorja e kompanisë së arredimit “GBarchs Architects”.

Burimi: Doganat

Sa janë rritur çmimet e mobilieve

Shtrenjtimi i lëndës së parë dhe të tarifave të transportit ka rritur çmimet e mobilieve në vend. Për periudhën 2021-2022, çmimet e mobilieve në tregun vendas janë shtrenjtuar 30-40%. Përfaqësuesi i fabrikës më të madhe prodhuese të mobilieve “FPM Tutto Mobili”, që tregton mobilie me logon “Bestseller”, Ilir Linza, thotë se shtrenjtimi nisi nga 2021 dhe vijoi edhe për këtë vit.

Deri tani, sipas tij, çmimet e shitjes së mobilieve janë 30% më të larta. “Për shkak të rritjes së çmimeve të lëndëve të para drusore në tregjet ndërkombëtare, çmimet e mobilieve për vitin 2021 u rritën 15%. Fillimisht në tregun vendas, çmimet e mobilieve u rritën 3% në muajin janar 2021, 5% më 1 qershor dhe 5% më 1 tetor.

Çmimet e lëndëve të para vijuan rritjen, për këtë arsye patë tjetër rritje të tyre në 2022. Çmimi i lëndës drusore është rritur 50%. Rritja edhe te çmimi i hekurit dhe transportit ka ndikuar te shtrenjtimi i çmimeve të mobilieve. Kërkesa për mobilie vijon të jetë e njëjtë si në 2021. Parashikimet për rritjen e kërkesës janë pozitive”.

Në anën tjetër efektet e shtrenjtimit të tarifave të transportit nuk u ndien në 2021 në sektorin e prodhimit të mobilieve, pasi siç thekson Ilir Linza, shitjet ishin 25% më të larta se 2020.

Çmimet e mobilieve pritet të rriten përsëri. Dritan Cacaj, nga “Trin Mobileri”, tha se rritja e çmimeve ka arritur deri në 40%, ndërsa në pranverë parashikohet sërish lëvizje e çmimeve nga shtrenjtimi i lëndës së parë. “Rritja e çmimeve të mobilieve nisi që vjet. Nga shtatori 2021 deri në muajin dhjetor, rritja ishte 30%.

Nga janari 2022, çmimet e mobilieve u rritën edhe 10%. Shtrenjtimi i çmimeve nuk është ndikuar vetëm nga rritja 40 deri në 50% e lëndës së parë, por edhe nga karburanti, energjia dhe pagesat e punonjësve. Furnizimet e reja të muajit mars janë 3% më të shtrenjta, gjë që do të ndikojë për një tjetër rritje të çmimeve të mobilieve”, nënvizon ai.

Shtrenjtohen çmimet edhe nga punishtet e vogla

Çmimet e mobilieve me porosi janë rritur edhe te punishtet e vogla të kryeqytetit. Drejtuesit e tyre pohojnë se rritja e çmimeve është ndikuar nga shtrenjtimi i lëndës së parë. Nga marangozët e vegjël nuk po ndihet mungesa e lëndës së parë, pasi nuk kryejnë furnizimeve direkte nga importi, por sigurohen në tregun e brendshëm të shumicës.

Fredi Koldashi zotëron në Bulevardin e Ri në Tiranë punishten “AB mobilieri” me pesë të punësuar. Ai nënvizon se, aktualisht, po e blen lëndën e parë nga furnitorët në tregun e brendshëm 40 deri në 50% më shtrenjtë se vjet. “Për këtë vit është shtuar kërkesa për mobilie nga familjarët dhe bizneset, por kostoja e prodhimit të tyre është më e lartë.

Për të përballuar shtimin e kostos jemi detyruar të rrisim çmimet me të paktën 20%. Shtrenjtimi i produktit final është më i ulët se kostoja e materialeve. Nuk ka hapësirë për rritje tjetër të çmimeve, pasi do të tkurrte kërkesën. Rritja e kërkesës është ndikuar kryesisht nga porositë për mobilime të apartamenteve të reja, sesa për zëvendësimin e atyre ekzistueseve”.

Ndërtimi dhe turizmi nxisin kërkesën për mobilie

Sektori i ndërtimit dhe turizmit vijojnë të jenë kontribuuesit kryesorë për zgjerimin e kërkesës së mobilieve. Për kompaninë “Delta Home”, pjesë e “Delta Group”, kërkesa këtë vit është 7-10% më tepër se në vitin 2021, ku kanë ndikuar edhe programet e rindërtimit. “Në Tiranë janë hapur shumë kantiere të reja ndërtimi, të cilat kanë sjellë rritjen e kërkesës për mobilie.

Efekte pozitive ka dhënë edhe zhvillimi i sektorit të turizmit me ngritjen e hoteleve të reja dhe programi i rindërtimit. Interesi për të blerë mobilie, në këtë periudhë është i lartë si nga familjarët, edhe bizneset. Vihet re që nga vit në vit, konsumatori ka shtuar kërkesën për mobilie të huaja, sidomos ato italiane.

Këtë vit po vihet re tendenca në rritje e familjarëve për blerjen e kuzhinës italiane. Gjithashtu është rritur shumë kërkesa për mobilimin e bareve. Në vitin 2022 është rritur numri i bareve të reja, sidomos ato të hapura brenda rezidencave të reja të banimit. Edhe ndërtimi i komplekseve të reja të vilave ka favorizuar kërkesën për mobilim”, pohuan përfaqësues të drejtorisë të shitjeve të kompanisë.

Dritan Cacaj, nga “Trin Mobileri”, pohon se këtë vit ka marrë më tepër porosi për mobilimin e apartamenteve të reja. “Ka kërkesë shumë të lartë dhe më pak produkte, e cila po favorizon importin e mobilieve të gatshme nga jashtë, sidomos nga Italia.

Ne punojmë për individë me të ardhura të mesme dhe të larta dhe nga kjo kategori, kërkesa vazhdon të jetë e lartë. Blerjet po bëhen më shumë për mobilim të apartamenteve të reja, si blerje të shtëpisë së dytë. Kërkesa është nxitur edhe nga ndërtimet e reja. Efekti zinxhir i zhvillimit aktual te ndërtimet garanton kërkesën edhe për 15 vite të tjera për sektorin e mobilieve”, thekson ai.

Sektori i prodhimit të mobilieve ishte ndër të parët që në 2020, pas përfundimit të karantinës tremujore, arriti të rikuperojë shumë shpejt kërkesën. Në karantinë, shitjet e mobilieve u ulën 60%. Aktorë të tregut pohuan se menjëherë pas hapjes së ekonomisë vërshoi kërkesa për mobilim të mjediseve të banimit dhe bizneseve.

Shitjet e orendive të drurit në vitin 2020 ishin 10% më tepër se në 2019-n. Edhe pas hapjes së ekonomisë, rritja u nxit nga ndërtimi i apartamenteve dhe hoteleve në bregdet. Pas përfundimit të izolimit, porositë për mobilie u shtuan edhe për punishtet e vogla të përpunimit të drurit.

Konflikti Rusi-Ukrainë, efekte tek importi

Mobiliet e gatshme të importuara në vitin 2021 ishin 49% më shumë se në vitin 2020, sipas të dhënave të doganave. Importet e mobilieve nga ky shtet kanë shënuar trend rritës nga viti në vit.

Në raport me vitin 2019, importet u shtuan 78%. Pas fillimit të luftës, importet nga ky shtet u ndërprenë. Përfaqësuesi i kompanisë “FPM Tutto Mobili”, Ilir Linza, pohon se efektet nga ndërprerja po ndihen te çmimet, ku në Ukrainë ishin më tepër konkurruese se shtetet e tjera të Europës.

Kompania “Bestseller” furnizohet me mobilie të gatshme nga Ukraina, të cilat zënë 15% të peshës së furnizimeve nga importi. Për shkak të luftës kemi ndërprerë furnizimet me këtë shtet dhe i kemi orientuar drejt Polonisë, Turqisë dhe Italisë. Krahasuar me Ukrainën, çmimet e këtyre shteteve janë më të shtrenjta, ndërsa nuk kemi hasur probleme me furnizimin”.

Zgjerohen eksportet e mobilieve

Për vitin 2021, eksportet e mobilieve u rritën 27% më shumë se në vitin 2019. Sipas të dhënave të doganave, importet shënuan rritje edhe në raport me 2020 (+30,7%). Ilir Linza, përfaqësues i kompanisë prodhuese më të madhe të mobilieve në vend, “FPM Tutto Mobili”, thotë se për muajt e parë të vitit 2022, shtrenjtimi i çmimeve ka ndikuar te rritja e eksporteve.

“Krahasuar me vjet, eksportet janë rritur 5%. Në këtë rritje ka ndikuar më tepër shtrenjtimi me 20% i çmimeve sesa nga kontratat”. Vitin e kaluar, eksportet e kompanisë ishin më të larta se në vitin 2020.

“Në vitin 2021, kërkesa më e lartë ishte për eksporte, sidomos me Italinë. Në krahasim me 2020-n, eksportet në Itali janë dyfishuar. Kërkesa globale për mobilie për vitin 2021 ka qenë shumë e lartë, pasi në ekonomitë e shumë vendeve janë injektuar më shumë para për të përballuar krizën nga Covid-19.

Individët kanë pasur më shumë para në duar, të cilat i kanë investuar për shpenzimet kryesore, por edhe për rinovime apo blerje mobiliesh”. Rreth 10% e mobilieve të prodhuara nga kompania FPM shiten në tregun shqiptar, ndërsa 90% eksportohen, kryesisht në Itali dhe Rumani.

Burimi: Doganat

Mobiliet e importit, kryesojnë ato italiane

Importi i mobilieve në vitin 2021 u rrit 28,3% krahasuar me 2019-n. Sipas të dhënave të doganave, importet ishin 24% më shumë në raport me 2020. Peshën kryesore e zënë importet nga Italia (26%), e ndjekur nga Turqia (20%), Kina, Greqia dhe shtete të tjera.

Përfaqësues të kompanisë “Delta Group” pohojnë për “Monitor” se edhe importuesit e mobilieve po përballen me rritjen e tarifave të transportit të importit dhe çmimeve për furnizimet e reja. “Delta Home”, pjesë e “Delta Group” importon marka mobiliesh nga Italia, Gjermania dhe Franca.

“Në Europë, nga ku furnizohemi me mobilie, çmimet janë rritur 3-22% më shumë. Deri tani nuk kemi pasur vështirësi për gjetjen e produkteve apo vonesa në furnizime.

Shqetësuese është rritja e lartë e tarifave të transportit. Nga janari 2022, tarifa minimale e transportit për Italinë është rritur 35%. Shtimi i kostos nuk është reflektuar te produktet e konsumatorit, pasi është amortizuar te marzhet e fitimit.

Tregu shqiptar është i vogël dhe e ka të pamundur të absorbojë rritjen e çmimeve”. Aktorë të tjerë të tregut pohuan se është dyfishuar koha e ardhjes së furnizimeve nga importi i mobilieve të gatshme.

Burimi: Doganat

Të ardhurat e kompanive

Të ardhurat e kompanisë “FPM Tutto Mobili” për vitin 2020 ishin 8,5% më pak se në vitin 2019. Fitimet e kompanisë u tkurrën 20%. Të ardhurat e kompanisë edhe për vitin 2019 patën rënie të lehtë 2% krahasuar me 2018.

Të ardhurat e realizuara nga kompania “SHAGA sh.p.k” në vitin 2020 ishin 14% më shumë se në vitin 2019. Fitimet e 2020-s ishin 36% më pak se në vitin 2019. Të ardhurat e kompanisë SHAGA sh.p.k. për 2019 ishin rreth 27% më shumë se në vitin 2018.

Të ardhurat e kompanisë “Mobilieri Tirana” në 2020 ishin 32% më shumë se në 2019. Të ardhurat e kompanisë për vitin 2019 u rritën 24,3% krahasuar me një vit më parë. Fitimet e kompanisë për 2020 janë rritur 137% më shumë se në vitin 2019. /Monitor