“Bullizmi problem serioz, ndonjëherë shkatërron”, Higuain: “9”-ta më e mirë? Benzema e Lewandowski

schedule11:20 - 22 Shtator, 2022

schedule 11:20 - 22 Shtator, 2022

Në një intervistë të gjatë për “TycSports”, Gonzalo Higuain foli për marrëdhënien e tij me kombëtaren, të tashmen dhe problemin e urrejtjes në rrjetet sociale: “Po të më kishin thënë në moshën 6-vjeçare se në moshën 26-vjeçare do të kisha luajtur një finale botërori, nuk do ta kisha besuar.

Më ka ndodhur me të vërtetë. Njerëzit nuk e kuptojnë dimensionin e të luajturit në një finale Botërori. Ata mendojnë se është e lehtë, por gjithçka qëndron ndryshe. Mund të fitosh ose humbësh, por askush nuk do ta harrojë kurrë atë eksperiencë. Edhe sot nuk e kuptoj që kam luajtur në një finale Botërori. Duhet t’i japim më shumë vlerë kësaj dhe të mos flasim vetëm për rezultatin”.

Argjentinasi shprehu edhe mendimin e tij se kush duhet të zërë pozicionin e qendërsulmuesit në ekipin kombëtar: “Julian Alvarez është dobësia ime. Ai ka të gjitha cilësitë për të qenë një ‘9’ madhështor gjatë gjithë karrierës. Lautaro, megjithatë, e ka fituar me meritë fanellën numër 9 të kombëtares. Ai ishte golashënuesi më i mirë i ciklit të Scaloni, derisa Messi e kaloi”.

Problemi i fyerjeve në rrjetet sociale: “Meme, akuza dhe talljet janë tashmë të natyrshme. Njerëzit i shohin dhe i përdorin, duket se është normale. Ka shembuj në çdo shtëpi, prindërit nuk e kuptojnë se fëmijët e tyre mund të ngacmohen ose ngacmojnë. Kritikat e ashpra janë bërë normale, ato janë rend i ditës. Miliona njerëz vuajnë prej saj dhe nuk e tregojnë.

Ka shumë fëmijë që nuk flasin për këtë nga frika dhe më pas marrin një vendim drastik, ndaj duhet të jeni më të ndërgjegjshëm. Bullizmit nuk i kushtohet rëndësia dhe vëmendja që duhet. Dëmi është i pariparueshëm, ndonjëherë vret. Mendoj për kohën që kam humbur me këto gjëra dhe do të doja të vihesha në ndihmë të atyre që i vuajnë.

Më duket shumë e padrejtë që kam jetuar 15 vite në majë të futbollit dhe nuk kam mundur të reagoj në momentet kur më është dashur të ul kokën përballë ofendimeve dhe mosrespektimit. Në këtë moment të jetës sime nuk mund ta duroj më”.

Momenti aktual: “Njerëzisht jam rritur shumë falë familjes dhe miqve të mi. Jam në një nga momentet më të mira të jetës sime, po e shijoj si kur kam qenë fëmijë, pa presion”.

Messi në MLS: “Nuk e di se çfarë do të bëjë në qershor. Ai është si Maradona, do të jetë vendimi i tij dhe nëse do të vinte në Amerikë do të ishte një revolucion i jashtëzakonshëm.

‘9’-ta më e mirë? Benzema dhe Lewandowski”. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!