Bullizmi në shkolla, kopshte dhe çerdhe, psikologët: Rol kyç prindërit dhe mësuesit

schedule14:22 - 27 Tetor, 2021

schedule 14:22 - 27 Tetor, 2021

Situata e bullizmit në shkolla, kopshte dhe çerdhe është kthyer në një problematikë. Në ABC Live me gazetaren Juli Xhokaxhi për këtë fenomen ishin të ftuar një panel psikologësh. Edmond Dragoti tha se bullizmi është i përhapur veçanërisht në shkolla për shkak të vlerësimeve. Ai tha se roli i mësuesit dhe prindit është mjaft i rëndësishëm për të injektuar një shembull të caktuar tek fëmijët.

“Bullizmi është më i spikatur në shkolla, ku njëri është më i mirë në mësime e të tjera me radhë. Para viteve ’90 në ushtri ishte problem sepse ata të vitit të parë bullizoheshin nga ata të vitit të dytë. Kjo lloj hierarike e nxit bullzimin. Roli i mësuesit është roli i ofrimit të modeleve. Duke përdorur mekanizma si krahasimi social ne duhet të synojmë të arrijmë nivelin e tjetrit që është më i mirë.

Kultura intelektuale është element i rëndësishëm. Kjo varet dhe nga fakti si sillet prindi ndaj fqinjëve dhe të tjerëve, sa shan, sa akuzon, sa diskriminon. Kur ne prekemi në një interes të caktuar reagojmë në mënyrë paragjykuese. Njësoj si varfëria apo gjërat e tjera bullzimi nuk mund të zhduket. Kjo përcaktohet nga niveli kulturor i familjes”, tha Dragoti.

Për Lira Gjikën është me rëndësi zvogëlimi i numrit të fëmijëve në çerdhe dhe koposhte për një edukatore në mënyrë që të shmanget situata të pakëndshme. “Fëmija e njeh të rriturin, i rrituri nuk e njeh fëmijën. Duhet të jemi të vëmendshëm pasi jemi ende një vend që edukon përmes frikës. Duhen marrë masat që në çerdhe dhe kopshte të zvogëlohet numri i fëmijëve për edukatore”, u shpreh Gjika.

Ndërsa Gëzim Tushi deklaroi se prindërit duhet të kuptojnë gjendjen e fëmijës në aspektin e pasojave fizike dhe psikologjike.

“Prindërit nuk do jenë të gjithë psikologë por duhet të jetë në gjendje për të kuptuar. Viktima të bullizmit janë ata që janë më të ndrojtur. Bullistët i kanë në qendër dhe i godasin. Prindi në shtëpi duhet ta kuptojë situatën e fëmijës së tij. Pasojat janë fizike dhe psikologjike. Janë shenja evidente, nuk kërkojnë psikolog për të kuptuar fëmijën e tyre. Ajo që është e rëndësishme është kultivimi i bullizmit. Ata që janë të dëmtuar nga bullizmi shkojnë deri në vetëvrasje”, tha ai. /Abcnews.al