Bulku: Kukësi e Tirana kanë një nivel, do jetë ndeshja më e bukur e këtij sezoni

schedule23:30 - 20 Shkurt, 2020

schedule 23:30 - 20 Shkurt, 2020

Ervin Bulku, zv. trajner i kombëtares shqiptare, është i ftuar në Pressing, në ABC News. Bulku foli për ndeshjen mes Kukësit dhe Tiranës, që do të luhet në Air Albania.

KUKËSI-TIRANA – “Mendoj se për ato që kanë dhënë dy skuadrat, do të jetë një ndeshje e bukur. Besoj se është ndeshja më interesante e kampionatit deri më tani. Kukësi ka lojtarë me shumë kualitet, jo më kot është në vend të parë.

STADIUMI – “Edhe Tirana pak a shumë ka ekip si Kukësi. Nga ana psikologjike, Kukësi është i ngarkuar, pasi Kukësi i luan të gjitha ndeshjet jashtë. Kur Kukësi luante në shtëpi, vështirë t’i merrnin pikë skuadrat tjera.

TRAJNERI – “Padyshim që në shumicën e rasteve vendosin lojtarët në fushë, por dhe trajneri ka rol të madh në këto sfida. Por nëse lojtarët nuk i përgjigjen trajnerit, e kanë ata në dorë. Në momentin që nuk ka asnjë diferencë mes lojtarëve, do të vendosin trajnerët.

NIVELI – “Mendoj se skuadrat pak a shumë janë të një niveli. Kanë problemet e tyre në reparte të caktuara, por mendoj se po t’i marrësh lojtarët një e nga një, janë thuajse të njëjtë. Unë nuk kam asnjë kundërshtim, i shoh skuadrat me syrin tim. Tirana nuk është rivale për titull, por është pretendente, edhe tani që flasim”./abcnews.al