Gigi Buffon është një legjendë e gjallë e portës italiane dhe asaj botërore. Pasi provoi një eksperiencë njëvjeçare te PSG, 41-vjeçari pranoi rolin e portierit të dytë dhe u rikthye te Juventusi. Një lider si ai është i nevojshëm edhe kur nuk luan. Në një prononcim për Gazzetta dello Sport, Buffon zbulon idhujt e tij dhe bën një krahasim interesant midis më të mirëve të tenisit dhe atyre të futbollit.
“Në krye të listës qëndron Alex Zanardi. Pak persona do ishin kthyer për të ecur, nëse mund të themi kështu, edhe pa këmbë. Ai na mësoi rëndësinë e mendjes së fortë. Pavarësisht vështirësive të mëdha, një mendje e fortë të ndihmon për të jetuar jetën me entuziazëm”, thekson Buffon.
Zanardi ishte një pilot i Formula 1, i cili theu të dy këmbët në një aksident të frikshëm të vitit 2001. Ai vazhdoi të garojë me makina të përshtatura pavarësisht vështirësive të mëdha fizike dhe u shpall kampion paraolimpik në garat e “handcycling”. Më pas një krahasim i dyshes Messi-Ronaldo. Shembulli paralel ekziston në botën e tenisit dhe Buffon e thjeshton logjikën dhe mendimin e tij.
“Federer ka klas pafund, ndërsa Nadal ka këmbëngulje, djersitje dhe talent. Përndryshe nuk do të arrinte të fitonte aq shumë tituj në karrierë. Puna e madhe e Nadal dhe dëshira konstante për t’u përmirësuar e kthyen në një nga tenistët më të talentuar në histori. Është pak a shumë si Messi dhe Ronaldo në futboll. Leo është Federer, ndërsa Cristiano Ronaldo është Nadal”, përfundon Gigi Buffon. /abcnews.al