Bruksel, Hasani: Presim dritën jeshile nga Këshilli i BE-së, koha që premtimet të kthehen në veprime konkrete

schedule12:31 - 30 Prill, 2024

schedule 12:31 - 30 Prill, 2024

Në takimin informal të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE, me rastin e 20 vjetorit të zgjerimit të BE (viti 2004), u diskutua tematika shumë e rëndësishme e shtetit të së drejtës në Procesin e Berlinit.

Shteti i së drejtës që është në themel të vetë BE është shumë i rëndësishëm edhe për vendet kandidate përfshirë Shqipërinë, si në kuadrin e konsolidimit të tyre si demokraci dhe ekonomi tregu funksionale dhe të bazuar në rregullat e BE, ashtu edhe në aspiratat evropiane të secilit prej vendeve tona për tu anëtarësuar në BE.

Në fjalën time referova arritjet e Shqipërisë në reformën gjithëpërfshirëse të sundimit të ligjit, me krijimin e institucioneve të pavarura të gjyqësorit, ngritjes së strukturave të posaçme kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe rezultatet e prekshme dhe të qëndrueshme të këtyre reforma.

Vlerësova mbështetjen politike të BE dhe të shteteve të saj anëtare, në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, përfshirë në reformat ekonomike.

Përgëzova miratimin e Planit të Rritjes dhe posaçërisht instrumentit lehtësues të rritjes dhe reformave, që do të sjellë një nxitje thelbësore edhe në zbatimin nga Shqipëria në kuadër të negociatave të anëtarësimit.

Theksova që këto reforma të bëhen të pakthyeshme, impakti i tyre të jetë i prekshëm për qytetarët, negociatat e anëtarësimit, të nisura në korrik 2022 me Shqipërinë, duhet të rifitojnë momentumin e humbur.

Ajo që duhet të arrijmë sa më shpejt është mbajtja e konferencës së dytë ndërqeveritare, që nis negociatat me grupkapitujt themelorë të sundimit të ligjit dhe institucioneve demokratike.

Ritheksova se bashkëpunimi rajonal në reformat e sundimit të ligjit, është po aq thelbësor sa dhe përpjekjet tona në planin e brendshëm.

Kërkova me ngulm që procesi të bëhet i prekshëm për qytetarët përfshirë edhe integrimin më të përshpejtuar me mekanizmat dhe programet e BE për sundimin e ligjit, për t’i mundësuar qytetarëve tanë Shqipërinë Evropiane dhe Ballkanin Perëndimor evropian përpara anëtarësimit në BE.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!