Sa shpesh i ka provuar skena të tilla.
Nëse ka një futbollist që ka hyrë në fushë si zëvendësues, me shpresën për të pasur një fillim të ri, ky është padyshim Armando Broja.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare pati mundësi shumë të paktë për të treguar veten ndaj Liverpulit, sepse trajneri i Bërnlit, Skot Parker, vendosi ta aktivizonte vetëm në minutën e parafundit.
Ky ishte debutimi I tij në Premier Ligë këtë sezon, dhe i ndodhi pikërisht ndaj kampiones në fuqi të Anglisë.
Më herët, luajti 63 minuta në Kupën e Ligës kundër Derbit duke shërbyer asist për gol.
Në një ndeshje me një sens të vetëm, me të kuqtë që sulmuan gjatë gjithë kohës e me Bërnlin që vetëm mbrohej, ishte e pamundur që Armando të bënte diçka.
Madje vendasit ishin krejt të pafat sepse shkaktuan penallti në minutën e katërt shtesë, dhe Mohamed Salah nuk gaboi nga 11 metra, një minutë më vonë.
Sulmuesi egjiptian ka tani 188 rrjeta në kampionat, duke qenë I vetëm në vendin e katërt në renditjen e të gjitha kohëve, 10 gola prapa Uejn Runit, ndërsa rekordmeni Alan Shirer dhe Harri Kejn janë më lart.
Liverpuli e meritoi fitoren duke bërë shumë më tepër, me 81 për qind mbajtje topi dhe 27 gjuajtje, edhe pse vetëm 4 në kuadrat.
Kampionët janë në vend të parë me 12 pikë të plota në katër ndeshje, të ndjekur nga Arsenal, Totenhem e Bornmuth me nga 9./abcnews.al

