Broja ‘prek’ fushën/ Everton mund ta ketë këtë javë në stërvitje të plotë

schedule12:36 - 12 Nëntor, 2024

schedule 12:36 - 12 Nëntor, 2024

Ekipi ka shumë nevojë për të. E qartë që një Armando Broja siç ka qenë kohët e fundit, nuk I entuziazmon tifozët e Evertonit, por skuadra nga Liverpuli ka nevojë për gola, siç e tregoi edhe barazimi 0-0 në fushën e Uest Hemit në Premier Ligë.

Edhe pse Blutë liverpulas janë ngjitur mbi zonën e ftohtë të renditjes, sërish vetëm dy ekipe nga 20 kanë shënuar më pak gola se ata, dhe Broja është një sulmues që është marrë pikërisht për golat.

Pak ditë më parë, 23-vjeçari doli në fushë me shokët e skuadrës, duke rritur me të drejtë shpresat për një kthim të shpejtë të tij në futbollin zyrtar.

Trajneri Shon Dajsh me të vërtetë pret që shqiptari të mos vonojë.

“Ju e thatë mirë që ai është duke u stërvitur pjesërisht me ekipin. Kjo, thjesht për të punuar me shokët dhe për t’u familjarizuar me stërvitjen, me topin. Për momentin, nuk ka gjë më shumë. Ju e dini se ai ka pasur probleme, por ka punuar me të vërtetë shumë mirë duke shkuar përpara me riaftësimin. Ai nuk ishte pjesë e skemave në stërvitje, vetëm nxemje dhe diçka më shumë. Po punon me stafin fizik dhe mjekësor. Shpresojmë që këtë javë, ai të mund të stërvitet në mënyrë të plotë”.

Pra, pritet që Broja të jetë në stërvitje me Evertonin këto ditë.

Tifozët e Evertonit padyshim që e kanë ndjekur këto kohë karrierën e sulmuesit të Shqipërisë, dhe kanë vënë re që nga këmbët e tij krijohen mrekulli kur është në formë.

Mjafton të shikojmë disa nga golat që ka shënuar jo shumë vjet më parë, me Sauthemptonin apo edhe me kombëtaren shqiptare për ta kuptuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!