Për momentin ka rëndësi vetëm të mbijetojë. Nga Armando Broja nuk kërkohet të bëjë mrekullitë që realizoi me kombëtaren shqiptare apo me Sauthemptonin, por pas gati dy vjetësh e gjysmë prej ferri, ai shpreson vetëm që të jetë mirë me shëndet dhe të luajë sa më shumë të ketë mundësi.
Pasi u kthye disa minuta në fushë para dy javësh në Premier Ligën angleze, dhe pasi u paraqit shumë mirë si titullar për Shqipërinë ndaj Andorrës në eliminatoret e Botërorit, sulmuesi kuqezi pati mundësi të jepte sado pak kontribut në derbin ndaj Liverpulit.
Sfida e madhe e qytetit u luajt në stadiumin e të kuqve, “Anfild”, dhe Broja u aktivizua vonë, vetëm në minutën e 79-të. Trajneri Dejvid Mojes nuk deshi të rrezikonte shumë, por pasi Liverpuli kaloi në epërsi në minutën e 57-të me anë të sulmuesit Diogo Zhota, nuk pati zgjedhje tjetër.
E vërteta është që 23-vjeçari u ndodh përballë mbrojtjes më të fortë të Premier Ligës, dhe ekipit më të fortë. Ai u përpoq shumë, vrapoi e bëri presion, si dhe kërkoi të rrezikonte portën e vendasve, veçse pa sukses.
Sidoqoftë, gjendja e tij fizike u duk e mirë, ai pati edhe shpërthime të gjata, tipike për të, dhe shpresohet që të vazhdojë kështu deri në fund të këtij edicioni. Ndoshta, Evertoni do të kandiset t’ia blejë kartonin nga Çelsi dhe Broja të kthehet në karrierë normale.