Është padyshim i rikthyer, dhe po merr vlerësimet e duhura.
Armando Broja e ka lënë pas periudhën shumë të vështirë, dhe më kryesorja dëmtimet e shumta, ndërsa u përfshi në formacionin e javës në Premier Ligën angleze nga media të caktuara.
Faqja e specializuar e statistikave “Who Scored”, I jep notën 7.45 dhe I bën vend në 11 më të mirët e xhiros së 19-të të kampionatit.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare asistoi golin e vetëm të skuadrës së tij, Bërnli, në humbjen 1-3 në shtëpi ndaj Njukasëllit.
Pavarësisht disfatës, ylli kuqezi u paraqit mirë dhe u vlerësua lart.
Në vetëm tri ndeshjet e fundit, ai ka shënuar fillimisht gol, dhe më pas ka shërbyer pasim për golin, në një seri që nuk e kishte që nga koha kur luante tek Sauthemptoni shumë vite më parë, dhe kur ishte ende 19 vjeç.
BBC britanike vlerëson se Broja ka në këto tri sfida më shumë kontribut në fushë sesa në 47 sfidat e kaluara, kur ishte tek Çelsi, Fulhami dhe Evertoni.
Në sezon, ai ka një rrjetë dhe dy asiste, përfshi edhe pasimin për rrjetën e shënuar në Kupën e Ligës angleze.
Për më tepër, trajneri Skot Parker, ka nisur ta aktivizojë gjithnjë e më shumë si titullar, dhe kështu ka ndodhur në katër nga pesë përballjet e fundit në Premier Ligë. / abcnews.al /


