Gjatë fjalës së saj në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kryeministrja e serbisë Ana Brnabiç prezantoi fytyrën e re të Serbisë. Ndërsa Kosovën e cilësoi si një kuti Pandore.
Brnabiç ka prezantuar fytyrën e re të Serbisë gjatë fjalës së saj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Dhe nuk mund të mungonte as tema e Kosovë, e cila sipas saj është një Kuti Pandore.
Ana Brnabiç, kryeministre e Serbisë: “Vlera kryesore e Bashkimit Europian, është e njëjta me atë të Kombeve të Bashkuara: Paqja. Nuk është ekonomia, tregtia, apo një treg më i madh. Është paqja. Të gjitha të tjera vijnë vetëm si pasojë e paqes. Dhe ne duam e kemi nevojë të jemi pjesë e Bashkimit Europian”.
Sipas saj Serbia po përpiqet shumë të lërë të kaluarën pas krahëve dhe të ecë përpara pa u zhytur në mite.
“Po flas këtu dhe për cështjen e provincës së Kosovës e cila ka rrëshqitur dhe këtu në mesin e Kombeve të Bashkuara. Më pak se gjysma e vendeve anëtare të OKB-së njohin shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Në një kohë që më shumë se gjysma, ose më shumë se 5 miliard persona në botë refuzojnë të pranojnë ndarjen e Kosovës”.
Më tej ajo shtoi se vendi i saj po përpiqet të mbyllë Kutinë e Pandorës e cila u hap dhjetë vjet më parë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, me shumë vende që nxituan ta njihnin.
“Këto vende njohën pavarësinë e Kosovës duke shkelur ligjet ndërkombëtare, duke harruar se po ndodhte vetëm katër vjet pasi kishat dhe manastiret serbe u dogjën, objekte këto të trashëgimisë botërore. Duke harruar se komuniteti ndërkombëtar gjithnjë këmbëngul për standarte para statusit dhe standartet nuk janë pjesë e axhendës së Prishtinës.”
Duke folur për dialogun Beograd Prishtinë, kryeministrja serbe tha se vend i saj ka implementuar marrëveshjet e nënshkruara pesë vejt më parë, kurse Kosova nuk po implementon asnjë. Mesazhi i saj për komunitetin ndërkombëtar ishte që të mbështesin Serbinë në përpjekjet e saj./abcnews.al