Kryeministri britanik Rishi Sunak ka anuluar takimin me homologun grek Kyriakos Mitsotakis, që ishte parashikuar të mbahej paraditen e së martës në Londër. Shkak për këtë është bërë deklarata e kryeministrit grek lidhur me statujat e Partenonit, për të cilat tha se duhet të kthehen në Greqi pasi janë të vjedhura.
Në një reagim, kryeministri grek shprehu pakënaqësinë për këtë ngjarje.
“Unë shpreh shqetësimin tim për faktin që kryeministri britanik anuloi takimin tonë të planifikuar vetëm disa orë përpara se të zhvillohej. Greqinë dhe Britaninë i bashkojnë lidhjet tradicionale të miqësisë dhe korniza e marrëdhënieve tona dypalëshe është jashtëzakonisht e gjerë. Qëndrimet e Greqisë për çështjen e Skulpturave të Partenonit janë të njohura.
Shpresoja të kisha mundësinë t’i diskutoja ato edhe me homologun tim britanik, së bashku me sfidat kryesore të momentit ndërkombëtar: Gaza, Ukraina, kriza klimatike, migrimi. Kushdo që beson në korrektësinë dhe drejtësinë e qëndrimeve të tij, nuk ka frikë kurrë nga argumentet e kundërta”, thuhet në deklaratën e tij.
Sipas informacioneve nga mediat britanike, përfaqësuesi i Rishi Sunak u tha gazetarëve: “Pozicioni ynë dihet dhe në dijeninë e kryeministrit grek se skulpturat e Partenonit janë blerë ligjërisht nga Muzeu Britanik në përputhje me ligjet e asaj kohe. Ato me të drejtë i përkasin Muzeut Britanik”./abcnews.al