Qeveria britanike do të rrisë me 19 milionë paund (rreth 22.8 milionë euro) ndihmën e saj humanitare për Gazën ku situata është “katastrofike” , njoftoi të hënën Ministrja e Zhvillimit, Anneliese Dodds, e cila po shkon në Kajro në një konferencë për këtë çështje.
Pas vizitës së saj në kryeqytetin egjiptian, ajo do të udhëtojë në territoret palestineze dhe Izrael.
“Gazanët kanë nevojë të madhe për ushqim dhe strehim përpara dimrit. Konferenca e Kajros do të jetë një mundësi (…) për të propozuar zgjidhje konkrete për krizën humanitare ”, tha ministrja në një deklaratë për shtyp.
“Izraeli duhet të veprojë menjëherë për të siguruar akses të ndihmave humanitare në Gaza ,” shtoi ajo, ndërsa organizatat ndërkombëtare humanitare akuzojnë autoritetet izraelite për pengimin e kamionëve me ndihma që të hyjnë në territorin e rrethuar palestinez.
Ky financim i ri britanik është i ndarë në 12 milionë paund për Zyrën e OKB-së për Çështjet Humanitare (OCHA) dhe Programin Botëror të Ushqimit, dhe 7 milionë paund për veprimin e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA).
Kjo e fundit njoftoi të dielën se po pezullonte dërgimin e ndihmave në Rripin e Gazës nga një pikë kyçe kalimi me Izraelin, pasi dorëzimi ishte bërë “i pamundur” ./abcnews.al