Britania njoftoi të dielën një paketë ndihme prej 50 milionë paund për të ndihmuar sirianët e pambrojtur pasi rebelët javën e kaluar përmbysën presidentin Bashar al-Assad.
Mbështetja emergjente do t’u ofrohet njerëzve në vend, përveç refugjatëve në Liban dhe Jordani, përmes OKB-së dhe OJQ-ve, tha të dielën Zyra e Jashtme.
“Rënia e regjimit të tmerrshëm të Assadit ofron një shans për popullin e Sirisë,” tha ministri i Jashtëm David Lammy. “Ne jemi të përkushtuar të mbështesim popullin sirian ndërsa ata hartojnë një kurs të ri.”
Të shtunën, Mbretëria e Bashkuar iu bashkua bisedimeve në Akaba, të organizuara nga Jordania dhe ku morën pjesë ministra dhe delegatë nga SHBA, Franca, Gjermania,Grupi i Kontaktit Arab, Bahreini, Katari, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, BE dhe OKB. Vendet ranë dakord mbi rëndësinë e një “qeverie jo-sektare dhe përfaqësuese”, duke mbrojtur të drejtat e njeriut, aksesin e papenguar për ndihmën humanitare, shkatërrimin e sigurt të armëve kimike dhe luftimin e terrorizmit.
“Mbretëria e Bashkuar i kërkon qeverisë kalimtare që t’u përmbahet këtyre parimeve për të ndërtuar një Siri më shpresëdhënëse, më të sigurt dhe paqësore ”, tha ministria e Jashtme./abcnews.al