Udhëtarët e parë që duhet t’i nënshtrohen karantinës nëpër hotele, kanë nisur të arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Të gjithë qytetarët britanikë dhe ata irlandezë, si dhe ata me lejeqëndrime, që shkojnë në Britani të Madhe pasi kanë qenë në ndonjë shtet me rrezik të lartë të koronavirusit, tani duhet të vetizolohen nëpër hotele.
Në listën e kuqe të 33 shteteve me rrezik të lartë përfshihen, Portugalia, Brazili dhe Afrika Jugore.
Kufizimet e reja, të cilat synojnë të ndalin përhapjen e varianteve të reja të koronavirusit në Britani, zbatohen për ata që kanë qenë në vendet e renditura në listë, në 10 ditët e fundit.
Ata duhet të paguajnë paraprakisht 1,750 funta për të kaluar 10 ditë nëpër hotelet e kontraktuara nga qeveria.
Në këtë çmim përfshihet qëndrimi në hotel, transporti dhe testimi.
Një udhëtar ka thënë për BBC-në se “ndihet keq” që do të qëndrojë i izoluar për 10 ditë.
Roger Goncalves, 23-vjeçar nga Brazili ka thënë se ka kryer testin për koronavirus dhe ka dalë negativ.
“Pse duhet të rri në dhomë për 10 ditë?”
Ai ka thënë se çmimi i hotelit është “shumë i lartë” për 10 ditë, mirëpo kushtet në hotel janë të mira.
Qeveria britanike kanë thënë se ka arritur marrëveshje me 16 hotele deri më tani, duke siguruar 4,963 dhoma për sistem të karantinës, derisa 58,000 dhoma tjera janë aktualisht vetëm në fazë të pritjes./REL