Duke iu bashkuar Kanadasë dhe Francës në një deklaratë të përbashkët duke paralajmëruar Benjamin Netanyahun kundër vazhdimit të luftës në Gaza, Mbretëria e Bashkuar është larguar nga qëndrimi i saj më parë shumë i rezervuar ndaj qeverisë izraelite.
“Ne e kundërshtojmë fuqimisht zgjerimin e operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza. Niveli i vuajtjes njerëzore në Gaza është i patolerueshëm”, tha Mbretëria e Bashkuar në një deklaratë të ndarë gjithashtu nga Otava dhe Parisi, disa orë pasi udhëheqësi izraelit njoftoi synimin e tij për të marrë kontrollin e plotë të Rripit të Gazës, shkruan Le Monde.
“Mohimi i qeverisë izraelite për ndihmën thelbësore humanitare për popullsinë civile është i papranueshëm dhe rrezikon të shkelë ligjin ndërkombëtar humanitar”, shtuan tre liderët, kryeministri kanadez Mark Carney, kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron.
Sipas the Guardian, në takimin e parë përgatitor në New York përpara konferencë së OKB-së për një zgjidhje me dy shtete, Arabia Saudite u kërkoi vendeve të njohin Palestinën si shtet, duke thënë se “njohja duhet parë si një parakusht për paqen dhe jo produkt i saj”.
Konferenca shihet si një moment potencial kur shtete si Franca dhe Britania e Madhe që ende nuk e kanë njohur Palestinën, ndërmarrin atë që do të ishte një hap i rëndësishëm diplomatik.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Parisi mund të njohë Palestinën, duke u bashkuar me 147 vende të tjera, por tha se donte ta bënte këtë në një konferencë të OKB-së.

