Britani-Rusi, marrëveshje për kthimin e diplomatëve

schedule22:35 - 28 Dhjetor, 2018

schedule 22:35 - 28 Dhjetor, 2018

Britania dhe Rusia kanë rënë dakord për rikthimin e diplomatëve në ambasadat përkatëse, pas dëbimit masiv që pasoi helmimin me agjent nervor të ish-spiunit rus Sergei Skripal, 9 muaj më parë në Angli.

Moska dhe Londra kanë arritur një marrëveshje për të rikthyer pjesërisht stafet në ambasadat përkatëse, pas valës së dëbimit të diplomatëve që u verifikua më herët gjatë vitit. Lajmin e bën të ditur agjencia ruse “Tass”, që citon burime pranë ambasadës ruse në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që Ministritë e Jashtme të dy vendeve kanë zgjedhur të mos bëjnë komente.

“Kemi arritur një marrëveshje në bazë të së cilës, nga janari do të fillojë rivendosja e stafit diplomatik si në Moskë dhe në Londër”, ka deklaruar ambasadori rus në Mbretërinë e Bashkuar, Aleksander Jakovenko.

Ambasadori ka nënvizuar se për momentin nuk do të jetë i gjithë stafi që do të kthehet në detyrë, por gjysma. Britania dëboi 23 diplomatë rusë pasi akuzoi Kremlinin si përgjegjës për helmimin me agjent nervor të ish-agjentit Sergei Skripal dhe së bijës së tij në qytetin Sallisburi, në Angli. Rusia, që mohoi çdo përfshirje në këtë ngjarje, reagoi duke dëbuar nga vendi të njëjtin numër të diplomatëve britanikë.

Lëvizja e Londrës zyrtare pati një efekt domino, pasi vendet europiane morën një masë të ngjashme ndaj diplomatëve rusë. Më herët gjatë muajit, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë britanike konsideroi spiunazhin rus si rrezikun kryesor për Perëndimin, më shumë sesa ISIS dhe Al Kaeda./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!