Britani, përshëndetje naziste në zemër të Londrës

schedule23:10 - 13 Tetor, 2018

schedule 23:10 - 13 Tetor, 2018

Londra është bërë ditën e shtunë skenë e dhunës nacionaliste. Grupe huliganësh kanë dalë në rrugë dhe kanë bërë përshëndetjen naziste para forcave të policisë, e cila ka shmangur përplasjen e tyre me një grup rival, që po marshonte kundër racizmit. 

Skena dhune janë verifikuar të shtunën në qendër të Londrës, ku anëtarë të një grupi huliganësh kanë mbajtur një protestë me tone raciste dhe nacionaliste. Anëtarët e grupit Aleanca Demokratike e Djemve të Futbollit kanë bërë përshëndetje naziste dhe më pas janë përleshur me forcat e policisë, e cila është përpjekur të shmangë përplasjen mes tyre dhe një grupi rival. Organizatorët e manifestimit deklaruan se grupi doli të protestonte kundër kthimit të xhihadistëve, emigrantëve ilegalë, bandave të përdhunuesve dhe në mbështetje të veteranëve që trajtohen si tradhtarë.

Furgonët e policisë dhe vetë efektivët u detyruan të përhapeshin në pika të ndryshme të Londrës, për të parandaluar përplasjen mes fraksioneve që po avanconin drejt sheshit Trafalgar. Nacionalistët përdorën fyerje dhe ofendime të rënda ndaj rivalëve të shoqatës “Jo racizmit dhe fashizmit”, si dhe ndaj policisë, që u mohoi mbajtjen e fjalimeve në sheshin e njohur, ku ishte ngritur edhe një podium. Në pamundësi për t’u përplasur me rivalët, huliganët, shumë prej të cilëve me maska në fytyrë, u përleshën me forcat e policisë dhe njëri prej tyre kërcënoi agjentët me vrasje. Rreth orës 18:00, me orën tonë, në kryeqytetin anglez u kthye normaliteti. Skotland Jard ka bërë me dije se ka arrestuar një person lidhur me trazirat, ndërsa ka paralajmëruar se do të zbatojë masa më të rrepta ndaj personave që cënojnë rendin publik./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!