Britani, May përgatit ofertën e radhës për laburistët

schedule13:53 - 19 Maj, 2019

schedule 13:53 - 19 Maj, 2019

Kryeministrja Theresa Mej ka deklaruar se ligjvënësve britanikë do t’u paraqitet një marrëveshje e re dhe e përmirësuar për Breksit në votimin e radhës që mbahet në fillim të qershorit. Në një shkrim në “Sandej Tajms”, Mej tha se, deputetëve do t’u jepet një “ofertë e guximshme”. Drafti i ri pritet të përmbajë masa mbrojtëse shtesë për punëtorët dhe përmes tij kryetarja e qeverisë do të përpiqet të sigurojë mbështetjen e disa ligjvënësve laburistë, me qëllim miratimin tërësor të planit të saj. Lajmi për draftin e ri vjen pak ditë pasi bisedimet mes konservatorëve dhe laburistëve në lidhje me Breksit dështuan. Vetë Mej njoftoi gjatë javës se ligjvënësit do të votojnë për planin e ri, që do ta kthente marrrëveshjen e divorcit me Brukselin në ligj, më 3 qershor. Në rast dështimi, që do të ishte i katërti rresht, Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE-ja pa një marrëveshje më 31 tetor. Laburistët kanë deklaruar se do të votojnë kundër planit, kundër të cilit janë edhe shumë konservatorë, gjë që e bën miratimin tejet të vështirë. Por në shkrimin e saj, zonja Mej tha se, nuk do t’u kërkojë deputetëve që thjesht të rishikojnë qëndrimin e tyre për të njëjtën marrëveshje, por për një akord të përmirësuar, me një paketë masash, që sipas saj do të sigurojë mbështetje. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!