Briken Calja, ashtu siç pritej, ka arritur të sjellë medalje në vendin tonë në Kampionatin Europian të peshëngritjes, i organizuar në Moskë të Rusisë.
Peshëngritësi ynë arriti të ngrejë në provën e parë, 152 kilogramë në stilin e shkëputjes, por më pas gaboi dy herë për 157 kilogramë, duke u renditur i katërti në këtë stil, me të njëjtin rezultat me peshëngritësin bullgar, por ky i fundit ishte 100 gramë më i lehtë në peshën trupore.
Garë më e mirë për Caljen në stilin e shtytjes. Gaboi në provën e parë për 184 kilogramë, por u tregua i saktë në provën e dytë për 184 kilogramë, duke rrëmbyer medaljen e argjendtë. Në provën e tretë për 188 kilogramë, kur mund të merrte të artën, Calja gaboi.
Me këtë rezultat, Calja siguroi edhe medaljen e bronztë në dygarësh, duke ngritur në total 336 kilogramë. Rezultat i mirë për Briken Caljen, megjithëse para garës kishte pretenduar 350 kilogramë në dygarësh. /abcnews.al