Brighton merr “hak” ndaj “djajve”, De Zerbi: Ka një Zot edhe në futboll

schedule11:25 - 5 Maj, 2023

schedule 11:25 - 5 Maj, 2023

Brighton “mori hak” mbrëmjen e djeshme, ku në “Amex Stadium” mundën me rezultatin minimal 1 me 0, “djajtë e kuq” të Manchester Untied, me këta të fundit që vetëm 2 javë më parë i eleminuan “pulëbardhat” në gjysmë-finalen e FA Cup.

Goli i vetëm i sfidës për djemtë e Roberto De Zerbi erdhi në minutën e 99’-të të sfidës, me argjentinasin Alexis Mac Allister që përktheu në gol një 11-metër të akorduar nga arbitri në “frymën e fundit” të lojës.

“Ka një Zot edhe në futboll! Ne e merituam kualifikimin në finalen e FA Cup, por humbëm me penallti. Ndërsa, tani triumfuam falë një penalltie. Në të dyja ndeshjet luajtëm më mirë se United”,- tha tekniku italian.

Mirëpo, përveç kësaj De Zerbi komentoi dhe një episod të çuditshëm të ndodhur gjatë ndeshjes, me teknikun që nuk “guxonte” të shikonte goditjen e penalltisë në “frymën e fundit” të lojës.

“Ishte një moment shumë i vështirë dhe e përjetova në një tjetër mënyrë. Ne e dominuam ndeshjen dhe shpërblimi erdhi vetëm në fund. Tani duhet të luajmë edhe gjashtë sfida të vështira. Na duhet të fitojmë duke nisur nga e hëna përballë Everton”,- tha italiani.

Ndërkaq, pas kësaj fitoreje të vyer Brighton ngjitet në vendin e gjashtë në Premier League me 55 pikë, një më shumë se Tottenham dhe Aston Villa, po me 2 ndeshje më shumë për të luajtuar se këto 2 ekipe. /i.m /abcnews.al