Negociatori i Bashkimit Europian për Breksit, Mishel Barnier i ka bërë thirrje Londrës dhe Brukselit që t’i japin fund shtirjeve sikur po bisedojnë për të arritur një marrëveshje. Pas takimit me kryeministrin Boris Xhonson, Barnier u beri thirrje palëve për propozime konkrete.
Përfaqësuesi i BE-së në negociatat për Breksit ka deklaruar se Unioni dhe Mbretëria e Bashkuar nuk duhet të shtiren sikur bisedojnë kur në tryezë nuk ka propozime të reja.
Mishel Barnier ka thënë se qëndrimi i deritanishëm i Britanisë, që i tregon Brukselit se çfarë nuk i pëlqen nga marrëveshja aktuale e Breksit nuk mjafton për një akord të ri.
Ai hodhi dyshime mbi një propozim të Londrës për t’i dhënë Irlandës së Veriut të drejtën e vetos ndaj rregullave tregtare të BE-së, duke theksuar se çdo pjese të Mbretërisë së Bashkuar do t’i duhet të nënshkruajë kushtet e daljes nga Unioni.
Nga ana tjetër, kryeministri Boris Xhonson deklaroi se, ekzistojnë hapësirat për një marrëveshje. Ai tha se akordi mund të arrihet në samitin e liderëve të BE-së që mbahet më 17 tetor, edhe pse nuk publikoi asnjë detaj nga frika se mos propozimet e tij konsiderohen si “mbeturina” nga BE.
Zoti Xhonson ka insistuar vazhdimisht se nuk do të pranojë një shtyrje të Breksit përtej 31 tetorit, pavarësisht se ligjvënësit miratuan një ligj që e detyron atë ta kërkojë një gjë të tillë nëse brenda datës 19 tetor nuk arrihet një pakt me BE-në.
Pas takimeve të zhvilluara ditët e fundit me zotin Barnier dhe presidentin e Komisionit Europian Zhan Klod Junker, Xhonson theksoi se, procesi për të arritur një marrëveshje të re do të përshpejtohet./ABC News Albania 24/7