Brexit, May publikon detajet e marrëveshjes së re

schedule23:40 - 21 Maj, 2019

schedule 23:40 - 21 Maj, 2019

Në Mbretërinë e Bashkuar kanë nisur të dalin në dritë detajet e marrëveshjes së re të Breksit, që po përgatit kryeministrja Mej në prag të votimit të radhës. Por pavarësisht risive, mbështetja e laburistëve për miratimin e draftit duket ende larg.

Kryeministrja britanike Theresa Mej ka nisur publikimin e detajeve të reja mbi marrëveshjen e Brexit, për të siguruar mbështetjen e deputetëve laburistë. Më herët, kabineti i Mej ra dakord mbi idenë e një marrëdhënieje të përkohshme doganore mes Britanisë dhe BE-së deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, mbi masat për ambjentin dhe të drejtat e punëtorëve.

Këto aspekte do të përfshihen në draft/marrëveshjen e tërheqjes që do të kalojë për votim në Dhomën e Përfaqësuesve në qershor. Disa ligjvënës, përfshirë konservatorë që mbështesin Brexit, kanë deklaruar se do të votojnë kundër draftit.

Sidoqoftë, kryeministrja Mej informoi deputetët dhe ministrat mbi përmbajtjen e marrëveshjes së re, që duhet të miratohet nga Parlamenti për t’u kthyer në ligj dhe për të dalë nga BE në mënyrë të rregullt.

Deri tani, deputetët e kanë rrëzuar tre herë marrëveshjen e negociuar mes Londrës dhe Brukselit dhe përpjekja e konservatorëve për të arritur një kompromis me laburistët dështoi javën e kaluar.

Në fjalimin e mbajtur, kryeministrja Mej u tha ministrave të saj se, drafti për marrëveshjen e tërheqjes është një automjet që do ta largojë Mbretërinë e Bashkuar nga BE-ja dhe në këtë aspekt është jetike gjetja e një mënyre për ta futur automjetin në korsinë e duhur. Kur të publikohet i plotë, drafti do të përmbajë edhe ndryshime të tjera./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!