Brexit lë jashtë ishujt Falkland: Frika e banorëve dhe shpresa e Argjentinës

schedule11:44 - 15 Janar, 2021

schedule 11:44 - 15 Janar, 2021

Ekonomia në rrezik

Sipas negociatave midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, ishujt Falkland nuk do të përfitojnë nga avantazhet tregtare, tatimore dhe doganore pas Brexit.

Kjo do të thotë që produktet nga ishujt Falkland mund t’i nënshtrohen detyrimeve doganore.

Ky është një kërcënim për ekonominë e ishujve, i cili bazohet në eksportin e 90% të peshkimit në Europë. Banorët shpresojnë të mbajnë status quo, pasi 60% e të ardhurave të qeverisë lokale vijnë nga sektori i lidhur me peshkimin dhe 40% e PBB-së varet nga kjo marrëdhënie e veçantë me BE-në.

Teslyn Barkman, anëtar i Asamblesë Legjislative të Falklands / Malvinas, tha për Euronews se kërkesa e tyre është shumë e thjeshtë:

“Ne thjesht duam të vazhdojmë të tregtojmë në një mënyrë që është e dobishme për ne dhe për BE-në. Kallamarët tanë vlerësohen kudo në BE: në Itali, në Francë, çdokush mund të shijojë kallamarët tanë me cilësi të lartë dhe ne duam të vazhdojmë këtë tregti”.

Në një mesazh drejtuar banorëve të Falklands për Krishtlindje, Kryeministri Britanik Boris Johnson tha se BE nuk kishte arritur një  kompromis për të përjashtuar ato territore nga marrëveshja tregtare.

Sidoqoftë, Komisioni Europian e ka bërë të qartë se nuk është brenda fushës së tij për të negociuar në emër të territoreve përtej detit, që do të thotë se qeveria lokale do të duhet të vendosë kushtet e veta me bllokun Europian.

“Ishte vërtet zhgënjyese të përjashtohesh nga marrëveshja, por unë jam i sigurt se ne do të jemi në gjendje të përfitojmë  më shumë nga BE sesa Britania e Madhe”, shpreson Barkman.

Një mundësi për Argjentinën

Megjithatë,  ky vendim u mirëprit  nga autoritetet argjentinase, të cilët pretendojnë se ishujt janë pjesë e Argjentinës nën emrin e Ishujve Malvinas .

Shkurtin e kaluar, Presidenti Argjentinas Alberto Fernández nisi një turne diplomatik në Europë, duke kërkuar përjashtimin e ishujve nga marrëveshja e Brexit dhe duket se përpjekjet e tij kanë arritur rezultatin e dëshiruar. Diplomatët argjentinas tani shpresojnë të rifillojnë negociatat mbi një mosmarrëveshje prej më shumë se një shekull.

“Ne synojmë të kemi mbështetjen e të gjitha vendeve,” tha Daniel Fernando Filmus Sekretari i Shtetit për Ishujt Malvinas, Antarktidë dhe Atlantikut Jugor.

“Ne kërkojmë mbështetje për  negociatat bilaterale. Argjentina nuk po kërkon një arsye, por përkundrazi Mbretëria e Bashkuar duhet  të diskutojë çështjen. Nuk ekziston mundësia që një pjesë e Argjentinës të jetë uzurpuar nga një fuqi koloniale për 188 vite “.

Ishujt ishin skena e luftës në 1982 , kur regjimi ushtarak argjentinas u përpoq të rikuperonte sovranitetin e atyre territoreve, por u mund nga ushtria britanike.

Të gjitha vendet europiane kishin nënshkruar një rezolutë të OKB-së për dekolonizimin e ishujve, megjithatë gjatë luftës ata mbështetën  Mbretërinë e Bashkuar si pjesë e bllokut Europian.

Problemet  diplomatike pas përjashtimit të ishujve nga marrëveshja

Ekspertët thonë se me largimin e Mbretërisë së Bashkuar, BE mund të ndryshojë qasjen e saj dhe duke mbështetur më shumë qasjen e Argjentinës .

Christian Ghymers, President i IRELAC (instituti ndërdisiplinor për marrëdhëniet midis Europës, Amerikës Latine dhe Karaibeve) argumenton se “Bashkimi Europian do të duhet të diskutojë këtë problem në të ardhmen, dhe kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se do të ketë mendime të të përbashkëta për atë që nuk u diskutua gjatë bisedimeve për Brexit, por ne e dimë se disa vende janë në favor të Argjentinës si : Italia, Spanja, Portugalia, Suedia, Austria, Greqia “.

Këto janë në fakt ato vende që, së bashku me Francën dhe Gjermaninë, në vitin 2019 votuan në favor të një mocioni të OKB-së për të nxitur britanikët të dekolonizojnë ishujt e arkipelagut Chagos dhe të lejojnë ribashkimin e tij me Mauritius.

Ghymers, beson se Argjentina tani ka më shumë fuqi për të negociuar nën një marrëveshje të ardhshme tregtare Mercosur-BE.

“Me Argjentinën që kryeson presidencën e Mercosur(Tregu i Përbashkët Jugor) dhe Portugalinë që udhëheq Këshillin Europian , mund të ketë bisedime në këtë drejtim,” thotë ai.

Brexit ka lënë shumë probleme të pazgjidhura dhe situata në rajon mbetet e tensionuar. Në janar, forcat e armatosura britanike filluan një stërvitje ushtarake jashtë ishujve që autoritetet argjentinase e dënuan si akt.

Ajo që është e sigurt është se Britania nuk është e gatshme të heqë dorë nga një territor kaq i rëndësishëm strategjik për shkak të afërsisë së saj me Antarktidën. s.ba/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!