BREXIT, kryeministri britanik fërshëllehet në Luxemburg, braktis konferencën

schedule21:21 - 16 Shtator, 2019

schedule 21:21 - 16 Shtator, 2019

Kryeministri britanik Boris Xhonson është vërshëllyer gjatë vizitës së tij në Luksemburg, ku është detyruar të braktisë konferencën për shtyp.

Ndërsa ai ka insistuar se pala britanike po bën gjithçka për një Breksit të rregullt, homologu i Luksemburgut ka deklaruar se procesi në fjalë është kthyer në një makth dhe se nga Londra mungojnë propozimet konkrete.

Kryeministri britanik Boris Xhonson është vërshëllyer të hënën nga protestuesit pro-BE-së pas një takimi me homologun e Luksemburgut.

“Të të vijë turp”, i bërtitën protestuesit zotit Xhonson, i cili u detyrua të largohej dhe të linte homologun Ksavier Betel të vetëm në konferencën për shtyp.

Megjithatë, Xhonson tha për mediat se konferenca u anulua nga frika se dy liderët do të ishin mbytur nga thirrjet e protestuesve.

“Mendoj se atje do të ishte bërë shumë zhurmë dhe se këndvështrimet tona të ndryshme do të na kishin ndarë tërësisht”, tha Xhonson.

Në lidhje me Brexit, kreu i qeverisë britanike nënvizoi se nga Mbretëria e Bashkuar është bërë një punë e madhe, e cila sipas tij është ndarë me partnerët europianë.

Ai i bëri thirrje BE-së që të heqë dorë nga qëndrimi për kufirin e Irlandës së Veriut.

Por, ndryshe nga Xhonson, kryeministri i Luksemburgut deklaroi se procesi i Breksit është kthyer në një makth.

Në konferencën për shtyp ku ishte i vetëm, Ksavier Betel tha se Xhonson nuk ka arritur të prezantojë plane serioze që do të mundësonin arritjen e një marrëveshjeje përpara datës 31 tetor.

“Ne kemi nevojë për propozime me shkrim. Koha po kalon, ndaj jepini fund fjalëve”, tha Betel.

Ai paralajmëroi se BE-ja nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që bie ndesh me parimin e tregut të përbashkët dhe që cënon marrëveshjen e paqes së Irlandës së Veriut./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!