Konservatorët ne Britani po përgatisin një mocion mosbesimi ndaj kryeministres Theresa May. Për këtë ka nisur mbledhja e firmave të nevojshme. Kjo ndodh pikërisht sapo kryeministrja arriti të gjente pak qetësi pas largimeve të shumta nga qeveria.
Në Mbretërinë e Bashkuar po përgatitet një mocion mosbesimi ndaj kryeministres, Theresa May. Kështu të paktën raporton BBC që saktëson se 20 deputetë të Konservatorëve kanë pranuar publikisht se kanë depozituar letra mosbesimi ndaj shefes së qeverisë së Londrës. Për të nisur këtë proces, duhet mbështetja e të paktën 48 konservatorëve. Një shkarkim i saj do të ndryshonte rrjedhën e Brexit. Megjithatë, May ka arritur të ndalojë valën e largimeve nga qeveria e saj.
Michael Gove thotë se ka shumë besim tek kryeministrja ndërsa ndjek marrëveshjen e saj për largimin nga Bashkimi Evropian. Më herët u përhapën zëra se sekretari i mjedisit do të ndiqte shembullin e kolegëve të tij nga kabineti, në shenjë proteste ndaj marrëveshjes për Brexit të arritur sëfundi me Brukselin. Por ai u tha gazetarëve se është i fokusuar në punën në kabinet për të arritur “marrëveshjen e duhur në të ardhmen”. Gove thuhet se refuzoi një ofertë për ta bërë atë sekretar për Brexit pas dorëheqjes së Dominic Raab.
Kryeministrja ka thënë se marrëveshja e saj Brexit është “me të vërtetë marrëveshja më e mirë për Britaninë”. BBC shkruan se Gove tha se do të pranonte vetëm punën e Sekretarit të Brexit nëse mund të përpiqej të bënte ndryshime në marrëveshjen e negociuar gjë që May dhe udhëheqësit e BE-së e kanë bërë të qartë që nuk është e mundur.
I pyetur nëse kishte besim tek kryeministrja, Gove tha: “Absolutisht që po”. Vendimi i Gove për të qëndruar është një shtysë e rëndësishme për May. Ndërkohë, të enjten pas prezantimit të marrëveshjes, 3 ministra dhe 1 zëvendësministër dhanë dorëheqjen, duke shkaktuar kështu një goditje të rëndë për qeverinë May. Ata e arsyetuan largimin duke thënë se akordi i arritur favorizon Brukselin dhe Mbretëria e Bashkuar nuk ka shumë përfitime./abcnews.al

