Kryeministri britanik, Boris Johnson do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për t’u takuar me presidenten e Komisionit EUropian, Ursula von der Leyen, teksa palët tentojnë të arrijnë një marrëveshje pas Brexitit.
Ky njoftim është bërë i ditur pas një bisede 90-minutëshe.
Në një deklaratë të përbashkët, ata kanë thënë se kushtet për një marrëveshje “nuk janë krijuar”.
“Dallimet të mëdha” vazhdojnë të jenë pengesë në fushën e peshkimit, rregullave për konkurrencë mes bizneseve dhe qeverisjes së çfarëdo marrëveshjeje, kanë shtuar ata.
“Ne u kemi kërkuar shefave tanë negociatorë dhe ekipeve të tyre që të përgatisin një përmbledhje të dallimeve që do të diskutohen në takimin me prani fizike në Bruksel në ditët në vijim”, kanë shtuar mes tjerash liderët.
Një burim brenda qeverisë britanike ka paralajmëruar se arritja e marrëveshjes nuk është e mundur, pas një bisedës telefonike mes von der Leyen dhe Johnson.
“Bisedimet janë në të njëjtën pikë sikurse kanë qenë të premten. Nuk është arritur përparim i dukshëm”, ka shtuar burimi.
Shefi negociator i Bashkimit Europian, Michel Barnier dhe homologu i tij britanik, Frost janë bllokuar në bisedime intensive gjatë javës së kaluar, teksa afrohet afati i fundit për arritje të pajtueshmërisë.
Dy negociatorët do të takohen të martën. Nëse nuk arrihet dhe ratifikohet një marrëveshje deri më 31 dhjetor, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian mund të aplikojnë tarifa në mallrat e njëra-tjetrës.
Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja, 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016./abcnews.al