Kryeministri britanik Boris Xhonson i ka bërë Bashkimit Europian propozimin final për Breksit, duke e shoqëruar atë më ultimatumin se në rast refuzimi, Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga Unioni pa marrëveshje.
Kryeministri britanik Boris Xhonson i ka bërë ofertën përfundimtare Bashkimit Europian për Breksit dhe ka deklaruar se, në rast se blloku nuk bie dakord, Britania do të largohet pa një marrëveshje në fund të muajit.
Në këtë mënyrë, duke zgjedhur linjën e ashpër, Xhonson ka nisur publikimin e paketës së propozimeve, sipas tij konstruktive dhe të arsyeshme.
Me datën 31 tetor që po afron, ndihmësit e Xhonson pritet t’ia paraqesin zyrtarisht propozimet Brukselit, si përpjekjen e fundit të Londrës për të zhbllokuar ngërçin sa i takon kufirit irlandez dhe për të siguruar një largim të lehtë nga BE-ja.
“Ne do të dalim nga BE-ja më 31 tetor me ç’të mundemi”, u tha Xhonson anëtarëve të partisë konservatore.
Ai përdori termin “dashuri” për Europën në fjalimin e tij, që u fokusua kryesisht tek çështjet e brendshme si shëndetësia, ekonomia dhe krimi.
“Ne po parashtrojmë atë çfarë besojmë se janë propozime konstruktive dhe të arsyeshme, që ofrojnë mundësinë për një kompromis për të dyja palët. Të mos kemi dyshime se alternativa tjetër do të jetë dalja pa marrëveshje”, vijoi Xhonson.
Paketa me propozime bën thirrje për krijimin e një zone rregullatore në ishullin e Irlandës që eliminon kontrollet tregtare mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës për të gjitha mallrat.
Zona rregullatore do të varet nga konsensusi i institucioneve të Irlandës së Veriut, që do të mbetet tërësisht pjesë e territorit doganor të Mbretërisë së Bashkuar – thotë dokumenti./ABC News Albania 24/7