“Brexit” i kushtoi 34 miliardë dollarë Britanisë së Madhe në dy vitet e para

schedule16:14 - 19 Dhjetor, 2024

schedule 16:14 - 19 Dhjetor, 2024

Pasojat ekonomike nga Brexit-i kanë çuar në një reduktim prej 34 miliardë dollarë të tregtisë me Bashkimin Evropian (BE) gjatë dy viteve të para pas largimit të Britanisë së Madhe nga Unioni.

Hulumtimi gjithëpërfshirës i zhvilluar nga “London School of Economics” (LSE) nxjerr në pah sfida të rënda për bizneset e vogla dhe rënie të dukshme të vëllimit të tregtisë, megjithëse ndikimi i përgjithshëm ishte më i lehtë se sa kishin sugjeruar disa parashikime të mëparshme.

Studiuesit në Qendrën për Performancën Ekonomike pranë LSE-së e përshkruan futjen e barrierave tregtare si një “katastrofë” për bizneset e vogla, pasi mijëra biznese të vogla u detyruan të ndalojnë tregtinë me vendet e BE-së.

Raporti nënvizon se ndërmarrjet më të vogla, të cilave shpesh u mungojnë burimet për të tejkaluar ndryshimet komplekse, janë prekur në mënyrë disproporcionale.

Studimi i qendrës shqyrtoi të dhënat nga mbi 100 mijë kompani dhe zbuloi se deri në fund të vitit 2022, dy vjet pasi Britania nënshkroi Marrëveshjen e Tregtisë dhe Bashkëpunimit (TCA) me Brukselin, eksportet britanike kishin rënë me 6.4 për qind dhe importet kishin rënë me 3.1 për qind.

Këto gjetje ofrojnë një përshkrim të kostos ekonomike të Brexit-it në dy vitet fillestare.

Autorët e studimit theksuan se teksa ndikimi i menjëhershëm i TCA-së ishte më i lehtë se sa pritej, zhvillimet e ardhshme mund të çojnë në ndikime më të mëdha ekonomike.

“Nëse rënia e tregtisë do të bëhet më e madhe me kalimin e kohës, kjo mbetet për t’u parë”, tha Thomas Sampson, një nga autorët e raportit.

Britania po përgatitet për vitin e ardhshëm, kur është paraparë faza tjetër e negociatave për Marrëveshjen e Tregtisë dhe Bashkëpunimit me Brukselin.

Autoritetet britanike pritet të përballen me presion për të hapur tregun britanik të bujqësisë ndaj konkurrencës së BE-së, në këmbim të qasjes së zgjeruar për mallrat e Britanisë në tregjet evropiane.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!