Parlamenti britanik rrëzoi për herë të tretë marrëveshjen e kryeministres Theresa Mej për Breksit. Mbretëria e Bashkuar në këtë mënyrë humbur shansin për të shtyrë deri më 22 maj daljen nga Unioni, me një marrëveshje.
Ligjvënësit britanikë kanë hedhur poshtë marrëveshjen e tërheqjes nga BE-ja të negociuar nga kryeministrja Theresa Mej. Akordi, që ka kaluar për herë të tretë në votim, ka marrë 344 vota kundër dhe 286 pro, me një diferencë prej 58 votash. Kjo do të thotë se Mbretëria e Bashkuar ka humbur shansin e ofruar nga BE-ja për të shtyrë daljen deri më 22 maj dhe të dalë nga Unioni me një marrëveshje. Kryeministrja Mej shprehu keqardhje të thellë për rezultatin e votimit dhe deklaroi se, në këtë mënyrë Parlamenti po arrin limitet e këtij procesi. Ajo tha se Britanisë i duhet të gjejë një alternativë të re për të ecur përpara, në të cilën duhet të përfshihet edhe çështja e zgjedhjeve euro-parlamentare. Tani, Mej ka kohë deri më 12 prill për të kërkuar një shtyrje në procesin e negociatave me Brukselin, në mënyrë që të shmangë një dalje pa marrëveshje në këtë datë. Por duke reaguar ndaj rezultatit të votimit, sekretari i përgjithshëm i Komisionit Europian Martin Selmair, krahu i djathtë i presidentit Zhan Klod Junker, deklaroi se 12 prilli është 29 marsi i ri për Breksit. Ndërsa presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk ka bërë me dije se ka ndërmend të mbledhë Këshillin më 10 prill. /abcnews.al