Brukseli ka refuzuar kushtet e Londrës për shkëputjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Në përfundim të samitit të Salzburgut, kreu i Këshillit Europian Donald Tusk ka deklaruar se propozimi i fundit i kryeministres Thereza Mej nuk do të funksionojë në praktikë.
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk ka deklaruar se plani i kryeministres britanike për partneritetin me BE pas BREXIT nuk do të funksionojë. Në përfundim të samitit të Salzburgut, ku liderët e 27 vendeve anëtare diskutuan pikërisht daljen e Mbretërisë së Bashkuar, Tusk ka nënvizuar se plani i May rrezikon të dëmtojë tregun e përbashkët europian. Propozimi i kryeministres britanike parashikon që Londra të nënshkruajë me Brukselin një paketë të përbashkët rregullash për tregtinë e mallrave dhe një territor doganor dypalësh.
Për May, propozimet në fjalë janë e vetmja mënyrë e sigurtë për të shmangur një përplasje kufitare me Irlandën e Veriut. Por në konferencën e shtypit, Tusk ka thënë se një skemë e tillë, pavarësisht se ka disa elementë pozitivë në lidhje me marrëdhëniet e ardhshme të Mbretërisë me Unionin, në praktikë nuk do të funksionojë. Tusk ka vijuar se tetori do të jetë momenti i së vërtetës sa i takon marrëveshjes dhe ka shtuar se, në rast se do të ekzistojnë kushtet e duhura në nëntor do të mbahet një tjetër samit për formalizimin e saj. Në reagimin e saj, kancelarja Angela Merkel ka deklaruar se deri atëherë do të duhet shumë punë për të tejkaluar ndasitë.
Ndërsa presidenci francez, Emmanuel Macron ka thënë se, Brexit u propozua nga njerëz që kishin parashikuar një proces të thjeshtë. Mbretëria e Bashkuar pritet të braktisë zyrtarisht BE-në më 29 mars të vitit të ardhshëm, por kleçka që i pengon në arritjen e ujdisë është shmangia e kontrolleve në kufirin e Irlandës së Veriut./abcnews.al