Brexit, Brukseli humb durimin: Topi në fushën e Britanisë

schedule21:44 - 11 Mars, 2019

schedule 21:44 - 11 Mars, 2019

Në një kohë kur data për largimin e Britanisë nga blloku evropian po afron, Brukseli i ka bërë thirrje ligjvënësve britanikë që të marrin vendimin e duhur, në mënyrë që procesi i Breksit të mos zvarritet më.

Bashkimi Evropian ka deklaruar se tashmë varet nga ligjvënësit britanikë të vendoset për Breksit, me Brukselin që mbetet i angazhuar për të arritur një marrëveshje në kohë, në mënyrë që Mbretëria e Bashkuar të largohet nga blloku këtë muaj. Burime nga Brukseli kanë deklaruar se Britanisë i janë ofruar garanci të reja sa i takon çështjes së kufirit irlandez në prag të votimit të radhës që do të mbahet të martën në Parlamentin britanik, mbi marrëveshjen e arritur nga kryeministrja Theresa Mej.

“Tani i takon Dhomës së Përfaqësuesve që të marrë vendimet e duhura”, kanë deklaruar burimet. Laburistët dhe konservatorët i kanë thënë kryeministres Mej se ajo duhet të respektojë premtimin e bërë për mbajtjen e votimit të së martës. Thirrja ka ardhur pas spekulimeve se votimi mund të shtyhet për një ditë tjetër, ose të ketë një rëndësi më të vakët lidhur me efektin e tij. Por qeveria britanike ka konfirmuar se votimi do të mbahet sipas planeve. DAUNING STRIT ka deklaruar se, fokusi i ekzekutivit është vazhdimi i punës për Breksit dhe mbajtja e votimit, në mënyrë që ky proces të mbyllet sa më shpejt. Mbretëria e Bashkuar pritet të largohet nga BE më 29 mars, por në janar ligjvënësit kundërshtuan marrëveshjen e arritur nga Mej në Bruksel, duke kërkuar një seri ndryshimesh në të./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!