BREXIT, BE nuk kthehet më pas, Juncker kategorik me May

schedule12:09 - 14 Dhjetor, 2018

schedule 12:09 - 14 Dhjetor, 2018

Brukseli i ka prerë çdo shpresë kryeministres britanike Thereza Mej për një rinegocim të marrëveshjes së BREKSIT. Presidenti Zhan Klod Junker ka deklaruar se pas arritjes së akordit nuk ka më kthim pas. Ndërkohë, në Londër kanë vërshuar kritikat ndaj kryetares së qeverisë.

Liderët e Bashkimit Europian kanë deklaruar se marrëveshja e Breksit nuk është e negociueshme, pavarësisht kërkesave të kryeministres britanike Theresa May. May kërkoi garanci ligjore në lidhje me kufirin irlandez në mënyrë që të sigurojë mbështetje për marrëveshjen në Parlament, pak ditë pasi shtyu votimin nga frika e një dështimi. Ajo tha se marrëveshja vihet në rrezik nëse shqetësimet e ligjvënësve nuk adresohen, por presidenti i Komisionit Europian Jean Claude Juncker deklaroi se për akordin mund të ketë sqarime të mëtejshme, por jo rinegociim. Juncker i bëri thirrje Mbretërisë së Bashkuar që të jetë më e qartë në kërkesat e saj, duke shtuar se Komisioni do të publikojë më 19 dhjetor masat e marra në rast të një tërheqjeje pa marrëveshje. Kryeministrja May udhëtoi në Bruksel për t’u prezantuar liderëve europianë një kërkesë speciale, por disa diplomatë të cituar nga BBC deklaruan se performanca e saj ishte e dobët dhe e varfër. Sipas tyre, zonja May nuk ishte aspak e qartë në kërkesat e saj. ministri hije për Brexit, Sir Kei Starmer reagoi duke thënë se shefja e qeverisë kishte dështuar në misionin e saj për kërkesa kuptimplota dhe bëri thirrje që ajo të fusë në votim marrëveshjen javën e ardhshme. kritikët thonë se marrëveshja e May, që synon shmangien e një kontesti kufitar në Irlandën e Veriut, do ta mbajë Mbretërinë e Bashkuar të lidhur me rregullat e BE-së për një kohë të pacaktuar dhe do të minojë aftësitë e saj për të nënshkruar marrëveshje tregtare. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!